LDK-ja dhe Vetëvendosja e çojnë në Kushtetuese Ligjin për Dialogun

E publikuar: 15/03/2019 16:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Dialogun, shkruan Gazeta Express.

Me anë të një konference të përbashkët për medie, LDK-ja dhe VV-ja kanë folur rreth procedimit në Gjykatën Kushtetuese të Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Në konferencë folën deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu dhe deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Dy subjektet opozitare e kundërshtojnë këtë Ligj për shkak se, sipas tyre, ka shkelje në të paktën tetë nene të Kushtetutës së vendit.

VV-ja dhe LDK-ja, po ashtu, kërkojnë vendosjen e masës së përkohshme për ta ndaluar instalimin e këtij precedenti të rrezikshëm dhe kërkojnë një seancë dëgjimore për të argumentuar çështjet e ngritura prej tyre.

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj u shpreh se, “si grupe parlamentare, si deputetë të dy partive politike e kontestojmë në tërësi kushtetutshmërinë e këtij Ligji, besojmë që përgjigja do të jetë edhe nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që ky projektligj të rrëzohet dhe si i tillë mandati kushtetues i institucioneve të mos cenohet”.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Albulena Haxhiu tregoi se projektligji është i gatshëm të shkelë kushtetutën vetëm për t’i shërbyer projektit për ndarjen e Kosovës të propaganduar nga Presidenti Thaçi. “Gjithë kjo aventurë e fundit është pra në shërbim të plotë të Hashim Thaçit. Në këtë kaos të qëllimshëm, që po krijojnë aktorët që ishte dashur të ruajnë aktorët që ishte dashur të ruajnë koherencën e politikës së jashtme dhe sovranitetin e integritetin territorial, përfshihet edhe i ashtuquajtur Ligj për Dialogun”, tha deputetja Haxhiu.

Deputetët e dy subjekteve opozitare deklaruan se veprimet e tyre nuk do të kufizohen këtu. Në rastin e ezaurimit të të gjitha mjeteve juridike për kundërshtimin e këtij projektligji dhe të këtij projekti angazhimi do të vazhdojë në shfrytëzimin e të drejtës për të protestuar kundra një procesi kaq të rrezikshëm.