Lajçi: Do ta përdorim çdo mjet legjitim për ta kundërshtuar këtë demarkacion

E publikuar: 26/08/2016 13:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish – anëtari i Komisionit për përcaktimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi, Ali Lajçi, në një prononcim për Telegrafin ka theksuar rezistenca e banorëve të Rugovës po shtohet çdo ditë e më tepër kundër variantit të propozuar për demarkacionin me fqinjin perëndimor, Malin e Zi.

Ai ka thënë se vazhdimisht zyrtarët qeveritar kanë tentuar nëpërmjet shumë rrugëve që t’i “shukasin” këta zëra, por që kjo ka qenë e pamundur, sepse sipas tij, kemi të bëjmë me cenim të sovranitetit dhe humbje të pronave që i kanë takuar Kosovës.

“Mirë do të ishte që kjo marrëveshje të mos votohej në Kuvendin e Kosovës më 1 shtator, duke e hapur kështu edhe njëherë diskutimin për këtë çështje. Nëse kjo marrëveshje kalon, do ta përdorim çdo mjet legjitim për ta kundërshtuar këtë demarkacion”, ka shtuar Lajçi.

Sipas tij, numri i banorëve që po e kundërshtojnë përcaktimin e vijës kufitare në mes Kosovës dhe Malit të Zi, po rritet vazhdimisht. /Telegrafi/