Kuvendi miratoi Rezolutën në mbrojtje të UÇK-së

E publikuar: 28/10/2016 11:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës me 61 vota për, asnjë kundër dhe 11 abstenime miratoi Rezolutën në mbështetje të vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Abstenimi ishte nga deputetët e lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo Rezolutë e obligon Kuvendin që brenda gjashtë muajsh të nxjerrë Ligjin për vlerat e UÇK-së.

Seanca e jashtëzakonshme në mbështetje të vlerave të luftës është mbajtur me kërkesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, pas dënimit që u është dhënë luftëtarëve të UÇK-së, të njohur si Grupi i Drenicës.

 Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar një rezolutë tjetër, e cila nuk është hedhur në votim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli me arsyetimin se me këtë rezolutë duhet të ndërrohet Kushtetuta

Në rezolutën e harmonizuar nga Grupet parlamentare të pozitës, por të absentuar nga Vetëvendosje, thuhet se Kuvendi i Kosovës zotohet që brenda gjashtë muajve do ta miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim.

“Lufta çlirimtare e Kosovës e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës me qëllim të çlirimit të Kosovës, sjelljes së lirisë dhe pavarësie për popullin e Kosovës me karakter mbrojtjen dhe çlirimtare, duke e respektuar, të drejtën dhe standardet më të larta të luftës, e drejtuar ekskluzivisht kundër forcave ushtarake policore dhe administratës okupuese të Serbisë në Kosovës, është lufta e armatosur e popullit të Kosovës e cila mbrohet dhe çmohet nga çdo qytetarë dhe institucion i Republikës së Kosovës. Pjesëtarët e UÇK-së, me sakrificën dhe angazhimin dhe kontributin e tyre të çmuar në luftën e çlirimtare të Kosovës ishin faktor vendimtar për sjelljen lirisë, e pavarësisë për popullin e Kosovës dhe në këtë drejtim gëzojnë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional në pajtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet tekstualisht në rezolutë.

Më tej shkruhet se: “Edhe në rastin e dënimit të grupit Drenica i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve e pushtetit publik dhe sidomos gjykatat që t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe ta shqyrtojë mundësin e arritjes së atij qëllimi me kufizim më të vogël”, thuhet në draft rezolutën që iu është shpërndarë deputetëve”.

 Po ashtu, në rezolutë thuhet se pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë të drejtë për gjykim të drejtë dhe të paanshëm dhe sikur çdo qytetari u garantohet mbrojtja e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore.

Sipas kësaj rezolute të gjitha institucionet dhe qytetarët e Kosovës duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në pajtim me Kushtetutën e dhe legjislacionin në fuqi për t’i mbrojtur pjesëtarët e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët m und t’u nënshtrohen veprimeve diskriminuese, si rrjedhojë e të qenit pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.