Kryetari Haziri hapi zyrtarisht fushatën e korrje-shirjeve

E publikuar: 10/07/2015 12:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, i shoqëruar nga drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, e ka hapur sot zyrtarisht fushatën e korrje-shirjeve në Gjilan.
Me këtë rast, kryetari Haziri u zotua se do të vazhdojë t’i subvencionoj familjet bujqësore, në mënyrë që të mos mbetet asnjë pëllëmbë toke pa punuar.
“Sot filluam fushatën e korrje-shirjeve, e falënderoj Drejtorinë e Bujqësisë për përgatitjet, bujqit dhe kombanjerët, të cilët kanë bërë të pamundurën që fushata e korrje-shirjeve ta zë optimumin, kohën e bereqetit, që për një vit familjet kanë punuar për ta fituar bukën e gojës. I lutemi dhe i falemi Zotit për bukën e dhënë, për bereqetin që e kemi sivjet dhe zotohemi që do të vazhdojmë t’i subvencionojmë familjet bujqësore, në mënyrë që të mos mbetet asnjë pëllëmbë toke pa punuar”, ka deklaruar Haziri.
Nga ana e tij, drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, tha se në komunën e Gjilanit janë të mbjellura mbi 3000 hektarë grurë, ndërsa ka shfaqur bindjen se fushata e korrje-shirjeve të pëfundojë brenda 12 ditëve.
“Në komunën e Gjilanit janë të mjellura 3000 hektarë dirthëra të bardha, prej tyre 2800 hektarë me grurë, i kemi 70 autokombanja dhe i kemi bërë të gjitha përgatitjet për korrje-shirjet. Pra kapacitetet pranuese të grurit janë të mjaftueshme dhe shpresoj shumë që për 12 ditë do ta përfundojmë fushatën. Uroj që të jetë një fushatë e mirë”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, rezultatet e para janë premtuese dhe për shifra të sakta të rendimentit, opinioni do të informohet ditëve në vijim.