Kishte njoftuar se do vriste veten, shitet në ankand për 234 mijë euro letra e poetit Charles Baudelaire

E publikuar: 05/11/2018 15:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një letër e poetit francez të shekullit XIX, Charles Baudelaire, ku njoftonte se do vriste veten, është shitur në ankand për 234 000 euro.

Letra me datë 30 qershor 1845 ishte për të dashurën e tij, Zhin Dyval.

Poeti, i cili ishte 24 vjeç në atë kohë, u përpoq të bënte vetëvrasje atë ditë, por mbijetoi. Faqja e ankandit tha se letra iu shit një blerësi privat me trefishin e çmimit të parashikuar.

“Në kohën që do ta kesh marrë këtë letër, unë do të kem vdekur. Po vras veten sepse nuk mund të jetoj më, as të mbaj barrën e rënies në gjumë dhe as të zgjimit përsëri”, shkruante Baudelaire.

Shkrimtari, i cili kishte probleme me paratë pas harxhimit të trashëgimisë së tij, qëlloi veten në gjoks, por nuk pësoi lëndime të rënda, përcjell tch.

Ai jetoi edhe për 22 vite të tjera, duke shkruar në atë kohë një vëllim që krijoi reputacionin e tij, Les Fleurs du Mal (Lulja e keqe).

Veprat e tij ndikuan në brezat e poetëve francezë. Ai vdiq nga sifilizi në 1867.