Kërkohet rishikimi i kritereve për dhënien e bursave në UP

E publikuar: 31/12/2017 13:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësi i arsimit, Dukagjin Pupovci vlerëson se ulja shumës për bursat e studentëve në Universitetin e Prishtinës ka rënë për shkak të numrit të madh të atyre që kanë notë të lartë mesatare. Ka thënë se duhet rishikuar kriteret për dhënien e bursës për studentë.
“Ka kohë që kriteret e vlerësimit të studentëve kanë rënë dhe kjo ka bërë që numri i përfituesve të bursës së Universitetit nga më pak se 100 të ngrihet me kohë në më shumë se 1,000. Me siguri kjo ka qenë arsyeja e zvogëlimit të bursave, pasi numri i studentëve me nota mesatare të larta është sot aq i madh sa buxheti i Universitetit nuk mund ta përballojë këtë lartësi të bursës”, ka thënë Pupovci, në një deklaratë për Express.

Me një vendim të Këshillit Drejtues, UP ka vendosur që bursa për një student të jetë 500 euro derisa para dhjetë vitesh ka qenë 900 euro.

Sidoqoftë, Pupovci konsideron se bursa duhet t’iu jepet studentëve meritore dhe e njëjta të mos konsiderohet ndihmë sociale.

“Mendoj se është koha të rishikohen kriteret për dhënien e bursës së universitetit, pasi kjo është burse meritore e jo bursë sociale. Është mirë të kufizohet numri i bursave për secilin fakultet ose për grupe fakultetesh, në mënyrë që të ruhet prestigji i kësaj burse”, ka shtuar ai.

Universiteti i Prishtinës e ka të rregulluar me Statut mënyrën e notimit. Kërkohet që nota të vendoset bazuar në tri vlerësime, përfshirë provimin përfundimtar. Ky model nuk aplikohet në shumicën e njësive akademike të UP’së.

Për këtë arsye, Pupovci thotë se duhet të harmonizohet vlerësimi pasi ka fakultete ku studentët luftojnë për notë kaluese për shkak të kritereve por ka edhe ku mund të marrësh nota të larta me kritere më të ulëta.

“Ndërkohë, për studentët që janë në gjendje të vështirë ekonomike duhet të kërkohen zgjidhje të tjera. Po ashtu, duhet të punohet në harmonizimin e kritereve të vlerësimit, sepse ka programe ku notat mesatare janë të larta deri në pakuptimësi dhe të tjera ku studentët duhet të angazhohen shumë për një notë kaluese”, ka shtuar ai/gazetaexpress.com/