Kapitulli 35 çmend Serbinë!

E publikuar: 23/10/2015 13:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Halil Matoshi

Opozita kosovare e hesht fare hapjen e Kapitullit 35 në negociatat mes BE-së dhe Serbisë, sepse në shumë aspekte ai ua rrëzon teoritë komplotiste që i kanë ngre përmes propagandimit se Asociacioni është “minishtet në shtet.” Kapitulli 35 e relativizon edhe Asociacionin, ngase autoritetet komunale në komunat në veri të Kosovës obligohen që të respektojnë plotësisht legjislacionin e Kosovës (në të gjitha fushat, gjyqësi, polici, dogana, por edhe në arsim, shëndetësi, rregullim hapësinor etj., si dhe të përdorin shenjat dhe simbolet e Kosovës në të gjitha aktet zyrtare) fusha këto që në bazë të Marrëveshjes për Asociacionin do të kishin autonomi të plotë

Opozita kosovare e bashkuar, jo në alternativë për vendin por në interesa pushtetare, dhe e drejtuar nga lëvizja “Vetëvendosje”, po synon përmbysjen, që të krijohen parakushtet që Republika të rrëshqasë në kaos, për t’u krijuar rrethanat “ndërkombëtare” për ndërrimin e kufijve, pra për ndarjen e Kosovës mes Serbisë dhe Shqipërisë (sipas idesë serbiane të koduar “Razgranicenje s’Albanijom” – Përkufizimi me Shqipërinë) që është ide e vjetër në thelb, ide e të gjitha qeverive serbiane që nga viti 1913, por që gjerësisht për autor njihet Dobrica Qosiq, edhe ai shkrimtar dhe politikan serb.

Në këtë mësymje lëvizja VV së pari synon ta gërryejë nga brenda projektin ndërkombëtar dhe vetë parimit të shtetit shumetnik, herë duke mbajtur qëndrim të hapur armiqësor ndaj Republikës së Kosovës, e herë duke e kamufluar këtë mësymje me idenë e Republikës së Tretë, por që në të dyja rastet Kosova sovrane është viktima, në llogari të ideve të mëdha të shekullit 20, shteteve njëetnike, shteteve të mëdha kombëtare… Porse në këtë mësymje kundër Republikës së pari asaj duhet hequr “me të gjitha mjetet” atributin “shumetnike”, për realizimin ogurzi të këtij komploti, pastaj lehtë dhe sigurt…

Fundosjen e parimit të shtetit shumetnik e paralajmëroi Kurti nga një televizion i Tiranës, kur tha se Kosova është shqiptare (që nuk është sipas konstitucionit të saj, pra, nuk është shteti i dytë shqiptar sipas mendësisë së etnonacionalistëve) dhe jo shumetnike, dhe se duhet vendosur parimi i qartë shumicë –pakica!

Dhe dy-tri ditë më pas, ai, së bashku me bashkopozitarin Haradinaj, që jo moti e akuzonte për marrje haraçi, me ‘skalp’ në dorë shqyen pëlhurat që mbulonin muralet turbonacionaliste (reperkusione të bëra nga molerët e Behgjet Pacollit.)
Asgjë të keqe s’do të kishte po qe se këto murale do të ishin origjinale dhe të përmbanin vlera estetike, mirëpo, këto murale janë aq të dobëta dhe tepër amatoreske saqë nuk meritojnë vëmendjen e publikut.

Ata janë thjesht kitsch – qysh është në thelb edhe vetë nacionalizmi kitsch!
Dhe turri i Haradinajt & Kurtit për t’i zbuluar këta “margaritarë patriotikë” më shumë flet për ata vetë sesa për aktin: dëshmon thjesht intencën që serbët kosovarë të përfaqësuar në Kuvend, të përzihen sërish nga aty dhe të orientohen edhe më fort nga Beogradi.

Që ideja e bashkimit kombëtar të “territorit shqiptar” të Kosovës me Republikën e Shqipërisë të justifikohet si mosintegrim i serbëve në strukturat e shtetit të ri, gjë që do ta përligjte bashkimin e serbëve të veriut të Kosovës me Serbinë…

Ndonëse nuk kanë një autonomi territoriale, opozita (shqiptare) kosovare me këtë hov po ua vizaton edhe atë, në projektin e Asociacionit, edhe pse aty nuk flitet për një territor kompakt e të pavarur nga Prishtina dhe për autonomi territoriale, por vetëm kulturore/arsimore/shëndetësore dhe personale.

Opozita serbe në Serbi, në anën tjetër, po thotë qartë se Asociacioni s’ka asnjë fuqi legjislative dhe vendimmarrëse, dhe se veriu po i rikthehet administrimit të Prishtinës, opozita shqiptare në Kosovë ndërsa po ngul këmbë se Asociacioni është shtet në shtet, si Republika Srpska në Bosnjë!

Në pesë vjetët e fundit elitat kulturore dhe politike të Serbisë janë në kërkim të një strategjie dalëse nga Kosova.
Si t’ua thonë këtë të vërtetë serbëve të homogjenizuar tash e një shekull rreth idesë së mitit për Kosovën deri në shkallë të fashistizimit…

Kur dihet se nacionalizmi egalitar serb nuk i fal ata “që tradhtojnë serbizmin” dhe që tërhiqen nga Kosova.
Revista “Status” më 2. 6. 2011 botoi një bashkëbisedim interesant – mes shkrimtarit Svetislav Basara dhe politikanit (atëherë president i Serbisë) Boris Tadiq – së pari herë në Serbi dikush po fliste për “ta lënë të lirë Kosovën” – ose, më thjesht, për të dalë me fytyrë nga atje.

Basara i pari ia shkrep muhabetit për Kosovën: “Mendoj se Kosova është njëmend çelësi nga i cili duhet t’ia nisim në rimendimin kulturor të Serbisë.
Kurse Tadiq e cilëson politikën serbe në Kosovë si rigjide dhe stereotip.

Ndonëse i vetëdijshëm se Kosova tashmë është territor jashtë shtetit serb, ai thotë se Kosova është çështje identitare, çështje e kulturës, ngase përtej luftës për integritetin serb dhe të ashtuquajturës pavarësi e Kosovës fshihet në realitet përpjekja për t’ia marrë identitetin nacional Serbisë, mirëpo nuk e thoshte se nga kush po mësyhej kjo dhe përse i duhej dikujt t’ua marrë identitetin nacional serbëve!?

Ashiqare ai kishte frikë, porse shihej se ende çalonte si demokrat, ai ende baravatej me identitete vrastare, të ngurta…
Pastaj pajtoheshin të dytë se Kosovën duhet ruajtur, por me politika shumë më fleksibile duke hequr dorë nga patriotizmat false dhe përplasja me tërë botën.
Dhe më qartë i qaseshin mitit të Kosovës që Basara e cilësonte si “fundësisht të banalizuar dhe të rremë”.

Në anën tjetër, Tadiq thoshte se është i lidhur fort me manastiret serbe në Kosovë. “Besoj se shumë qytetarë të Serbisë apo edhe shumë bashkëpatriotë ashtu e përjetojnë, edhe ata që madje kurrë nuk kanë qenë në Kosovë dhe as që duhet të shkojnë.
Çështja e identitetit është ndonjëherë iracionale, sepse kjo është pjesë e personalitetit të njeriut…”

Për të konkluduar se kultura dhe identiteti nuk mund të zëvendësohen me diçka tjetër…
Analisti Marinko M. Vuçiniq bisedën mes një shkrimtari dhe një politikani serb e shihte si fazën e parë të kthesës së shtetit serb karshi Kosovës.

A janë këta hapa jokonvencionalë në politikë, reformizëm i qasjes ndaj Kosovës” – pyet Vuçiniq, duke e ditur se kjo qasje do të shpinte tek njohja e Kosovës.

Përderisa një marrëveshje e arritur në Bruksel për heqjen e barrikadave në urën mbi Ibër në Mitrovicë u bë realitet dhe njëkohësisht u zhbë brenda pak minutash, duke “bllokuar” fundin dhe fillimin me llamarinë (Sic!) kinse për rivitalizim, për çka po u dashka gati edhe një vit – sidoqoftë ishte një paralajmërim se Serbia me zor dhe përtesë po lëviz në kahun e duhur.

Matanë istikameve, në vazhdën e bisedës Basara-Tadiq, disa serbë kinse intelektualë, po përpëliten të thonë atë që e thoshin qysh socialdemokratët serbë nga luftërat ballkanike, Kosta Novakoviq dhe Dimitrije Tucoviq me shokë.

Kush nga ta ka marrë detyra nga kreu i shtetit që në Serbi të krijojë opinion për ta njohur Republikën e Kosovës, përkatësisht për t’i tërheqë xhandarët dhe agjentët nga Kosova (nga pjesa e administruar nga serbët kosovarë nën diktatin e fortë të Beogradit) si kryeakademiku Kostiq, i cili tha ashiqare i detyruar: “Dikush këtij populli duhet t’i tregojë që Kosova as de jure, as de fakto, nuk është në duart tona. Kam frikë që në këtë moment e vetmja mençuri politike është që në mënyrë dinjitoze ta lëshojmë Kosovën, siç edhe de fakto e de jure është lëshuar nga duart tona. Dhe këtë dikush duhet t’ia tregojë popullit.”

Pasi që politikanë të të gjitha rangjeve në Serbi, deri tek presidenti Toma “Grobar” – Nikoliq janë çuar peshë kundër deklaratës së Kostiqit, atij në mbrojtje i ka dalë historiania serbe e proviniencës liberale, Latinka Peroviq: “Në vend se politikanët të mësojnë nga njerëzit e dijes, ata i thërrasin për dëgjueshmëri”, ka vlerësuar ajo për gazetën “Danas”.

Sipas Peroviqit, kryetari i Akademisë serbe ka thënë të vërtetën në lidhje me pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se me atë rast ai ka pasur sjellje të intelektualit të pavarur dhe të përgjegjshëm.
Kurse vetëm dy-tri ditë më përpara ishte kontroversi Vuk Drashkoviq ai që po e spastronte ndërgjegjen për të vdekur i qetë, ngase prej Gospiqit e deri në Skenderaj njësitet çetnike, të frymëzuara dhe të krijuara nga ai, kanë bërë krime dhe mizori.

Drashkoviq e ka cilësuar si tragjike dhe për dënim të përhershëm atë që ekstremistët shqiptarë, në mars 2004, kallën, dëmtuan rëndë dhe përdhosen mbi njëqind kisha e manastire serbe në Kosovë duke shtuar se “është tragjike dhe për dënim të përhershëm edhe ajo që në prill dhe maj 1999, forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë kanë rrënuar më shumë se 200 xhami, medrese e teqe, ndër to edhe Xhaminë e Pazarit, nga viti 1761, atë të Halil Efendisë, nga 1526, Teqenë bektashiane, nga viti 1790. etj.

“Janë kryer krime të shumta dhe barbare ndaj serbëve kosovarë me 1998 dhe 1999, porse ato janë përcjellë me krime shumë më të mëdha ndaj shqiptarëve, kufomat e të cilëve janë hedhur madje në lumenjtë dhe liqenet nëpër Serbi, porse janë groposur fshehtë në poligonet e policisë në Beograd. Kur nga Kosova janë përzënë 800 mijë shqiptarë…

Krimi nuk mundet duke mbajtur mend vetëm të huajat dhe duke i heshtur tonat”, ka thënë ndër tjera ish-komunisti i konvertuar në çetnik dhe së fundi në demokrat, lider i partisë Lëvizja Serbe e Ripërtëritjes (SPO) Vuk Drashkoviq.

Dhe së fundi, si dëshmi se në Serbi ka nisur defashistizimi i shoqërisë, edhe Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi e ka mirëpritur “aktin e guximshëm” të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Vladimir Kostiq, për të pranuar realitetin se Kosova është shtet i pavarur.
Sipas këtij Komiteti, kjo deklaratë është e rëndësishme, sepse ajo distancohet nga “politika e dëmshme” dhe “roli që ka pasur Akademia në krijimin e projektit të Serbisë së Madhe”.

Komiteti e ka cilësuar të papranueshme deklaratën e presidentit serb, Tomislav Nikoliq, i cili dënon aktin e Kostiqit.
“Na thonë të tërhiqemi nga Kosova”, po ashtu “na thonë ta braktisim zemrën e Serbisë, “Tokën e shenjtë” – ishin fjalët e nacionalistëve që janë në krye të shtetit serb, me t’u ballafaquar me Kapitullin 35 të BE-së për Serbinë.

Mirëpo Kapitulli 35 është nxjerrë “jashtë përdorimit” në Kosovë.
Madje opozita e bashkuar rreth përmbysjes si ide këtë draftdokument thuajse e ka shpallur “armiqësor” që nuk guxon të bjerë në duar të militantëve të VV-së dhe hiç se hiç në duart e qytetarëve, sepse prish fort punë!

Kapitulli 35 që i mundëson Serbisë kalimin në kapituj të tjerë për t’i nisur negociatat e bashkimit në bllok, jo vetëm që “e detyron” Serbinë ta braktisë Kosovën përfundimisht (29 shërbime komunale, administratë, spiunë, “civilna zastita” (mbrojtja civile) etj. me rreth 5000 veta, porse i detyron komunat në veri të Kosovës që të finalizojnë dhe konsolidojnë administratat komunale në pajtim me ligjet e Kosovës (thuhet decidivisht në draftdokumentin për Kapitullin 35 të negociatave BE-Serbi), pastaj autoritetet komunale në veri të Kosovës obligohen që të respektojnë plotësisht legjislacionin e Kosovës (në të gjitha fushat, pra edhe në arsim, shëndetësi, rregullim hapësinor etj.), që në bazë të Marrëveshjes për Asociacionin do të kishin autonomi të plotë.

Po ashtu autoritetet e komunave në veri obligohen t’i përdorin ekskluzivisht shenjat dhe vulat e Republikës së Kosovës.
Pra Kapitulli 35 e vë në rrezik edhe vetë Asociacionin, duke i relativizuar kompetencat e tij statutare, ngase gjithçka në veri të Kosovës vihet nën prerrogativat e Qeverisë së ligjshme në Prishtinë.

Populli i Kosovës është i sigurt (nën përkujdesjen e NATO-s) dhe i lirë në territorin e tij sovran, në Republikën shumetnike të Kosovës, si projekt i Perëndimit dhe pa gajlen se mund të krijohet ndonjë farë entiteti si Republika Serbe me kinse pavarësi të mbivendosur.
Prandaj, boll më me propagandë kundër popullit e në emër të popullit!

Nëse popullit serb duhet t’i thuhet e vërteta se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, natyrisht nga intelektualët dhe qeveritarët e tij, edhe popullit në Kosovë duhet të dalë e t’i thotë dikush që të mos lejojë të manipulohet nga struktura partiake, pra të qëndrojë neutral në këtë betejë opozitare, të pakrye dhe me kauza false!