Kanabisi, ja sa fitojnë trafikantët për çdo kilogram

E publikuar: 31/10/2016 17:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sipas burimeve nga tregu, çmimi i shitjes të bimës,- që ka zhvendosur vëmendjen nga bujqësia tradicionale- ka rënë ndjeshëm që pas shtatorit, kur ajo filloi të korrej, në të gjitha hallkat e tregtimit të tij.

Ndërsa çmimi me të cilin produkti dilte nga fusha ishte 250-300 euro/kg, pas shtatorit ai ka rënë në 100-200 euro/kg, duke u tkurrur me 30-40%.

Ka dhe disa zona, si në Gjirokastër, ku fshatarëve që kanë mbjellë për hesap të vet, u merret edhe me 70 euro për kg. Deri sa produkti arrin në destinacionin përkatës, çmimi rritet ndjeshëm për shkak të kostos së lartë të transportit (kosto e trafikimit me avion llogaritet në rreth 500 euro/kg, me kamion 350 euro/kg dhe me gomone 250 euro/kg) dhe marzhit shtesë të fitimit.

Pavarësisht kostove të larta të transportit, rënie të ndjeshme ka pësuar dhe çmimi i tregtimit me shumicë të kanabisit në shtete të ndryshme (dorëzimi nga pala shqiptare). Psh, Në Italianë e Jugut, çmimi ka rënë nga 1700-1800 euro/kg në 1200-1500 euro/kg, në atë të Veriut është ulur me më shumë se 20%, nga 2200-2500 euro në 1700-2000 euro/kg.

Në Turqi, që është një nga tregjet kryesore të Shqipërisë, për shkak edhe të konsumit të lartë nga turistët, çmimi ka rënë deri në 45%, nga 4000 euro/kg në 2200 euro/kg. Kërkesa e lartë nga Turqia vlerësohet dhe si një nga faktorët që nxiti prodhimin në Shqipëri.

Çmimi më i shtrenjtë i shitjes është në vendet skandinave (Suedi, Danimarkë), deri në 6000 euro/kg, por mësohet se furnizimi atje është ndërprerë për shkak të stoqeve të krijuara dhe çmimi ka rënë në rreth 5 mijë euro/kg.

Në Gjermani çmimi gjithashtu është përgjysmuar në rreth 2200 euro/kg (ndonëse ky shtet nuk ka klientë direkt). Në Holandë dhe Belgjikë, çmimi ka rënë me 35% në rreth 2300 euro/kg.

Në Francë furnizohen disa qytete, si Nice, Lion, Monako (edhe këtu çmimi ka rënë me 30%), ndërsa Spanja dhe Portugalia furnizohen kryesisht nga Maroku.

Shqipëria dhe Maroku vlerësohen për momentin si furnizuesit më të mëdhenj të Europës, ku cilësia e kanabisit shqiptar është më e mirë, për shkak të veçorive natyrore të vendit.

Mësohet se rritja e prodhimit ka qenë një nga arsyet kryesore që ka ndikuar në rënien e çmimit, teksa organizatorë kanë qenë të detyruar të bënin një veprim të tillë për të ruajtur klientët dhe kanalet e tregtimit.

255821