Kampet e Vetëvendosjes dhe LDK-së përplasen në distancë

E publikuar: 29/10/2017 23:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë mbetur edhe dy javë para fushatës mes kandidatëve për kryetarë të Prishtinës, Shpend Ahmeti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por tani vetëm kanë filluar përplasjet mes tyre, e kjo përmes statuseve në Facebook.

Nesër ditë e hënë, në Interaktiv të KTV-së, Ahmeti dhe Abrashi parashihej të ishin mysafirë të ftuar, të ballafaqoheshin në garën për Prishtinë. Por ky i fundit, këtë ftesë e ka refuzuar.

Deputeti i Vetëvendosjes Dardan Sejdiu, përmes një statusi në Facebook, bëri të ditur për anulimin nga Abrashi.

“Debati i parë në mes të Shpendit dhe LDK ka qenë i planifikuar për nesër në Interaktiv. Debati i parë është konfirmuar qe disa ditë. Sonte na lajmëruan se pala tjetër ka anuluar pjesëmarrjen. Perderisa ia bënte Liraku argatin në debate ky kunderkandidati vinte, tash në përballje me Shpendin po arsyetohet dhe po i ik debatit. Shpendi nuk largohej përballë 6 kundështarëve. Shpendi ballafaqohej me të gjithë sepse puna jonë është me mendje dhe me zemër për Prishtinën. Shpendi #meZemër”, ka shkruar Sejdiu.

Menjëherë pas kësaj, erdhi edhe reagimi i Abrashit.

Ka thënë se e fton kundërkandidatin e tij, Shpend Ahmetin, në pesë debate, madje se këto debate i pret me padurim.

“555. Kundërkandidatin e ftoj në pesë debate, në pesë televizione të ndryshme, në pesë mbrëmjet e javës së balotazhit nga një debat. Nëse dëshiron, le të merr edhe të tjerë me vete. Përndryshe me padurim po pres debatet, sepse çdo ditë do të prezentoj diçka të re, rreth mospunës së tij dhe projekteve të mia. Kryetari po vjen”, ka shkruar Abrashi.

Ndërkaq, Koordinatorja për media e Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Doruntinë Maloku, ka treguar arsyen përse Abrashi e ka anuluar këtë debat në Interaktiv të KTV-së.

Ka thënë se këtë e ka bërë për arsye se nesër do t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjike dentare.

“Sqarim për opinionin! Kandidati për kryetar të Prishtinës, z. Arban Abrashi, nesër do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjike për shkak të një problemi dentar, të cilin keni mundur ta vëreni edhe gjatë paraqitjeve të tij të fundit në dy televizione. Kjo, ia ka pamundësuar z. Arban Abrashi që gjatë kësaj jave të marrë pjesë në debate, edhe pse ne e kishim konfirmuar javën e kaluar pjesëmarrjen e tij në dy sosh. Të gjitha pretendimet e tjera janë pallavra! Ndryshe, i bëjmë thirrje Shpend Ahmetit që ta pranojë ofertën “555” të Arban Abrashit”, ka shkruar ajo.

Kujtojmë se më 19 nëntor do të mbahen zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave.