“Jemi në pritje të vendimit politik për FSK-në”

E publikuar: 21/11/2017 16:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës qëndruan për vizitë deputetët e Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Fillimisht në Ministrinë për FSK-në u mbajt takimi i përbashkët i Komisionit Parlamentar dhe udhëheqësve të FSK-së, ku u bë prezantimi i të arriturave, aktiviteteve si dhe planeve për të ardhmen e kësaj force.

Nikoqiri i takimit, zëvendësministri Agim Çeku në hapje të takimit u shpreh se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i mirë ndërmjet ministrisë për FSK-në dhe Komisionit përkatës Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së kanë qenë të mira në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Republikës dhe kjo formë e bashkëpunimit dhe koordinimit garanton efikasitet dhe perspektivë të gjithanshme.

Ai mes tjerash tha se Ministria dhe FSK-ja janë në pritje të vendimit politik dhe janë të gatshëm që me punën e pakursyer ta lehtësojmë marrjen e këtij vendimi.

Nga ana e tij, kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e FSK-së, deputeti Haxhi Shala u shpreh se si Komisioni është shumë unik rreth FSK-së, pra nuk ka dallim ndërmjet pozitës dhe opozitës sa i përket kësaj force, transmeton Klan Kosova