Istrefi e Lluka akuzojnë njëri tjetrin për shkatërrim të Telekomit

E publikuar: 27/12/2019 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bedri Istrefi, kryeshef i Telekomit, sot gjatë ditës akuzoi ministrin në detyrë të Ministrisë së Zhvillimit Valdrin Llukën, se po “rrezikon sigurinë nacionale”.

Sipas Istrefit, viti 2019 Telekomin e Kosovës e ka karakterizuar me sfida dhe vështirësi të shumta.

“Qoftë në aspektin e operimeve si rezultat i pamundësisë financiare për t’i mirëmbajtur dhe zhvilluar platformat e veta për ofrimin e shërbimeve më të mira për konsumatorët; qoftë nga mungesa e përkrahjes së munguar nga Aksionari, konkretisht nga MZHE, si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar Istrefi në Facebook.

I është kundërpërgjigjur ministri në detyrë i MZHE-së, Valdrin Lluka, i cili po ashtu përmes Facebook-ut, e ka quajtur pafytyrësi, dhe siç shkruan ai duke iu përgjigjur Istrefit, thotë se “ka futuar në punë mbi 400 veta”.

“Personi që mundohet të mbulojë dështimet e veta të njëpasnjëshme, personi që ka futur mbi 400 veta në punë kur në fakt ishte dashur ta zvogëlojë numrin e punëtorëve, personi i cili shkon në hotele superluksoze në kohën kur Telekomi vonon pagat për punëtorët, më akuzon mua për rëndimin e situatës në Telekom. Pra, dështimet e tij, dëshiron të mi mvesh mua. Imagjinojeni! Kur bëhet kjo? Në momentin kur qeveria është në largim, pra kur qeveria nuk e ka vendimmarrjen e plotë për shkarkim të menjëhershëm”, shkruan Lluka, përcjell Koha.net.

Istrefi, ndër tjera në postimin e tij thotë se Lluka e ka dëmtuar imazhin e Telekomit të Kosovës, siç thotë ai, me deklaratat për falimentimin e ndërmarrjes.

Sipas Istrefit, deklarimet e Llukës “për qëllimet e tij tendencioze, jo vetëm që kanë stagnuar operimet normale të kompanisë sonë, por me veprimet e tilla po rrezikon edhe Sigurinë Nacionale duke vështirësuar operimin edhe institucioneve të sigurisë kombëtare, siç janë Policia e Kosovës, AKI, KFOR-i, Shërbimi i Zjarrfikësve, Shërbimi i Emergjencës, Kulla e Aeroportit”.

Ndërkaq, ministri në detyrë i MZHE-së, Valdrin Lluka, në facebook ka kritikuar Istrefin për punësime në Telekom, dhe thotë se ia ka sqaruar edhe disa pika tjera.

“Telekomi i Kosovës, gjatë mandatit të Bedri Istrefit, ka punësuar qindra punëtorë (afërsisht 400). Ndërkohë që Telekomi i Kosovës ka një rrogë mesatare rreth 1,000 EUR. Mos punësimi i këtyre personave, do t’i kursente Telekomit rreth 5 milionë EUR në vit dhe do ta bënte ndërmarrjen më efiçiente dhe do të krijonte hapësirë për pagesat e pajisjeve që nuk “rrezikojnë” sigurinë kombëtare që tashmë paska qenë rreth 1.5 milionë EUR”, shkruan ndër tjera Lluka.

Më poshtë, gjeni të plota dy postimet e gjata të Valdrin Llukës dhe Bedri Istrefit.