Hoti: Nuk shkova në Bruksel nga dëshira për të dal në fotografi me Vuçiqin

E publikuar: 17/07/2020 23:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka deklaruar se gjatë takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, ka kërkuar që të hapen të gjitha arkivat shtetërorë serbe në lidhje me të zhdukurit, por edhe borxhet e obligimet ekonomike.

Hoti tha se nuk do të lejon që të ulen në tavolinë e dialogut dhe të shtyhen për çështjet që duhet të jenë pjesë e marrëveshjes me Serbinë por do ta mbajë diskutimin në nivel të parimeve që janë për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve.

Ai në T7, ka thënë se Kosova nuk ka asnjë arkiv që e mban të mbyllur

“Kam kërkuar të hapen të gjitha arkivat në Serbi, të ketë drejtësi dhe të ketë kujdes me familjet e të zhdukurve. Çështja e dytë që është diskutuar janë të gjitha çështjet financiare, të borxhit në mes dy vendeve por dalim pastaj edhe te bashkëpunimi i tanishëm ekonomik. Te obligimet janë për shembull shtesat e fëmijëve që nuk janë paguar, kursimet bankare, asetet bankare që janë marrë. Te bashkëpunimi ekonomik, ne kemi propozuar që të ndiqen 4 parimet bazë, lëvizja e lirë e njerëzve, lëvizja e lirë e mallrave, etj, pastaj infrastruktura siç është hekurudha e autostrada dhe mbi të gjitha heqja e barrierave ekonomike në mes dy vendeve. Këto janë çështje që do të bëhen pjesë e marrëveshjes finale, ku do të përfshihet edhe dëmet materiale që janë bërë gjatë vitit 1998-99”, tha ai duke shtuar se ky është pozicioni shtetëror i Kosovës.

“Nuk kam shkuar nga dëshira për me dal në fotografi me Vuçiqin, e as për fjalët që i gjuan poshtë e lartë ai por është obligim shtetëror”, tha ai.