Holanda “në këmbë” për shpëtimin e lopës Hermien nga thertorja

E publikuar: 10/02/2018 13:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Holandë janë të gjithë të çmendur për lopën Hermien, e cila pas largimit pak para Krishtlindjeve nga kamioni që duhet ta dërgonte në thertore, tani do të vijojë një jetë “normale”.

Ajo do të qëndrojë në një fermë të veçantë për kafshët e keqtrajtuara falë 50 mijë eurove të mbledhura përmes Internetit nga njerëzit që u prekën nga historia e saj.

Historia e lopës 3 vjeç e gjysmë, ka shkaktuar fantazinë e rrjeteve sociale, të cilët kryesisht përmes “Twitter”-it, u pasionuan, duke lançuar hashtag si #GoHermien e #JeSuisHermien.

Për të u shqetësua madje edhe një anëtar i familjes mbretërore, bashkëshorti i princeshës Margherita, i cili bëri një apel për të ofruar lirinë e kafshës.

Hermien, i cila u arratis së bashku me një viç tjetër, arriti t’i shpëtojë ndjekësve të saj për tetë javë, duke u endur nëpër pyje dhe fshatra.

Dhe në fund, këmbëngulja e saj u shpërblye. 50 mijë euro janë mbledhur në internet për të garantuar sigurinë e saj dhe tani ajo mund të jetojë në heshtje në një fermë. /gsh/