Haziri: Po keqpërdoret rasti i Agonit, për vdekjen e tij duhet të ketë përgjegjësi institucionale

E publikuar: 05/05/2020 13:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se për vdekjen e 26 vjeçarit nga Gjilani në Qendrën Studentore duhet të japin përgjegjësi ata që kanë.

“Gjilani po kalon një javë të kronikës së zezë. Dje në prani të familjarëve, të institucioneve fetare dhe komunale është bërë varrimi i Agon Musliut, i cili është vetëvrarë pardje pas kthimit nga Gjermania, në kuadër të garantimin. Rasti i tij, siç jeni në dijeni, është duke u trajtuar nga organet e shtetit”.

Kur Haziri u pyet se pse iu referua si vetëvrasje, tha se kështu e ka cilësuar policia.

“Unë nuk po mund t’ju kuptoj, përderisa është cilësuar në ditën e parë si akt i tillë. Natyrisht se Policia, hetuesit dhe Prokuroria nuk mund ta cilësojnë ndryshe aktin e kërcimit nga kati i katërt, pos vetëvrasje”, tha ai

Megjithatë, Haziri tha se rrethanat që kanë çuar deri në vetëvrasje janë duke u hetuar dhe se me këtë duhet të vazhdohet.

“Rrethanat, motivet, a ka lëshime në procedurë, pse një njeri që ka pasur nevojë të jetë në vetizolim në familje është detyruar të shkojë në karantinë? Pse nuk është trajtuar lënda e tij e ardhur si udhëtar në fluturim humanitar prej Shtutgartit në Kosovë?. Këto janë ato që duhet të zbardhen dhe nuk ka terminologji tjetër. Nuk e di pse po e trajtoni dhe po e keqpërdorni”.

Haziri tha se ky rast po keqpërdoret politikisht, por gjithashtu tha se tragjedisë së humbjes së fëmijës së vetëm në familje do t’i bashkohet edhe ai për të zbardhur rastin.