Haxhiu takohet me Apostolovën: Fuqizohet plan-veprimi për reformën në drejtësi

E publikuar: 13/02/2020 18:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me bashkëpunëtorët e saj, Nazlie Bala dhe Blerim Sallahu, ka pritur sot në takim Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova me bashkëpunëtorë, Riccardo Serri, Cezary Michalczuk, Julia Jacoby dhe Aferdita Smajli, të cilët i uruan suksese Haxhiut në detyrën e re.

Me këtë rast, ministrja ka falënderuar Apostolovën për përkrahjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, Haxhiu e ka njoftuar Shefen e Zyrës së BE-së, me prioritetet kryesore të cilat do t’i ndërmerr gjatë mandatit të saj dhe se e ka siguruar se do të mbeten të përkushtuar në zbatimin e agjendës evropiane, përfshirë reformën në drejtësi.

“Gjatë takimit, u garantua mbështetje e mëtejshme nga Zyra e Bashkimit Evropian dhe njëherit u pajtuan për fuqizimin e instrumenteve bashkëpunuese përmes projekteve të përbashkëta për të avancuar më tej me reformat që do të forcojnë shtetin e së drejtës”, thuhet më tej në këtë njoftim.