Haradinaj i përgjigjet nga Franca mbylljes së dyqaneve në Veri, ky është plani

E publikuar: 01/07/2019 15:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Si kundërpërgjigjje ndaj situatës në Veri ku sot janë mbyllur të gjitha dyqanet që shesin mallëra, Kryeministri Haradinaj nga Franca ka bërë me dije se atje do të hapen pika të përkohshme shitjeje.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar lidhur me mbylljen e lokaleve në veri të Mitrovicës. I pari i Qeverisë ka thënë se simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim.

Si kundërpërgjigjje ndaj kësaj situate, Haradinaj nga Franca ka bërë me dije se atje do të hapen pika të përkohshme shitjeje.

“Në bashkëpunim të ngusht me komunitetin e biznesit në Republikën e Kosovës dhe pas konsultave me të gjitha institucionet përkatëse, kemi organizuar hapjen e pikave të përkohshme shitëse me pakicë në veriun e vendit. Ky aksion, i kordinuar dhe planifikuar, ka për qëllim ofrimin e të gjitha produkteve elementare për banorët e asaj ane”, ka shkruar Haradinaj.

Ky është postimi i tij i plotë:

Qeveria e Kosovës mbron qytetarët në veri, duke hapur pikat shitëse në bashkëpunim me bzineset kosovare.

Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim!

Në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit në Republikën e Kosovës dhe pas konsultave me të gjitha institucionet përkatëse, kemi organizuar hapjen e pikave të përkohshme shitëse me pakicë në veriun e vendit. Ky aksion, i koordinuar dhe planifikuar, ka për qëllim ofrimin e të gjitha produkteve elementare për banorët e asaj ane.

Sot, edhe njëherë u kemi dhënë përgjigjen institucionale, të gjitha veprimeve të orkestruara nga Serbia, përgjigje e cila vulosë sovranitetin e vendit, solidaritetin qytetarë, përgjegjësinë dhe kujdesin e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Asnjë qytetarë i Kosovës nuk do të jetë viktimë e luftës speciale që orkestrohet nga agjentë të jashtëm. Kosova është shtet që ne e ndajmë bashkë si shoqëri!