Hamiti: Kosova rrezikohet nga indoktrinimi fetar

E publikuar: 23/03/2016 11:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Profesori i Fakultetit të Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, ka shkruar në facebook për sulmet e fundit në Bruksel.

Ai thotë se këto akte që shtyhen nga çfarëdo kauze, nuk justifikohen në asnjë mënyrë dhe asnjë normë njerëzore, e aq më pak kur ato bëhen në emër të Zotit, transmeton lajmi.net

Hamiti deklaron se kolektivisht duhet të angazhohemi në ruajtjen e fëmijëve që të mos bien pre e grupeve të tilla ideologjike dhe trushpërlarëse.

“Edhe vendi ynë në këtë drejtim duhet të veprojë pa u hamendur sa nuk është bërë tepër vonë”, ka shkruar Hamiti.

Ja shkrimi i plotë i tij:

TERRORIZMI NUK NJEH AS FE E AS NORMË !

Pamjet e muajve dhe ditëve të fundit, të njëpasnjëshme të terrorit ndaj njerëzve të pafajshëm e në pabesi, duke përfshirë gra e fëmijë si dhe kalimtar të rastit, siç ishte edhe terrori i djeshëm në Bruksel pas atyre të Turqisë, për çfarëdo kauze që ato mund të shtyhen e bëhen, nuk mund të justifikohen në asnjë mënyrë dhe asnjë normë njerëzore, e aq më pak kur ato bëhen në emër të Zotit !!

Bota e arsyeshme sot, e cila në numër është më e madhe sesa ajo e devijuar dhe e çakorduar , duhet të ulet dhe mendoj seriozisht për të bërë gjithçka që është e mundur në parandalimin e akteve të tilla barbare, të cilat rrisin urrejtjen racore dhe fetare në Evropë dhe më gjerë, epilogu i të cilave do të ishte i dhimbshëm për të gjithë dhe pa dallim.

Individualisht dhe kolektivisht duhet të angazhohemi në maksimum për ruajtjen e fëmijëve tanë që të mos bien pre e grupeve të tilla ideologjike trushpërlarëse , të cilat më së paku kanë të bëjnë me fenë dhe Zotin !

Mënyra më e mirë preventivës së rrëshqitjes fëmijëve dhe të rinjve tanë në këtë katrahurë është edukimi dhe informimi i drejtë për të mos instrumentalizuar në asnjë formë indoktrinimin fetar në dëm të tjetrit.

Edhe vendi ynë në këtë drejtim duhet të veprojë pa u hamendur sa nuk është bërë tepër vonë.