Gazeta serbe: Pacolli po e blen jugun e Serbisë, tregon edhe “çmimin” (Foto)

E publikuar: 27/04/2017 13:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mediat serbe kanë vazhduar me fushatën kundër Kosovës dhe politikanëve të saj.

Gazeta beogradase Informer.rs në ballinën e saj të numrit të së enjtes ka vendosur titullin ”Pacolli blen jugun e Serbisë për 250.000.000 euro”.

“Miliarderi më i pasur shqiptar Behgjet Pacolli, i ka dhënë një shumë të parave me të cilat ekstremistët në jug të Serbisë, Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, dhe në Vranjë, Leskovc dhe Nish do të blejnë tokë, pasuri të patundshme dhe kompani!”

”Blerjet do të shkojnë nëpërmjet një ndërmjetësi, një zone fiktive dhe serbëve të korruptuar”, shkruan sot Informer.rs.

Kjo e fundit i kishte dedikuar shkrim Kosovës edhe të mërkurën.

Në të, kjo media shkruante se presidenti turk Recep Taiyp Erdogan është duke e ndihmuar aktivisht kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për luftë në Serbi e Maqedoni.

“Agjentët e MIT (Shërbimi i Inteligjencës Turke), Shqipëria dhe Kosova po ndihmohen në mënyrë aktive për përgatitjet për luftë në Serbi dhe Maqedoni”.

“Fshehurazi po ndihmohen për blerjen e një sasie të madhe të armëve, sidomos raketa dhe po përgatitet një plan për të hyrë në veriun e Kosovës dhe në Kumanovë të Shkupit”.

Në këtë artikull financuesi kryesor i kësaj “lufte të mundshme” shihet të jetë miliarder kosovar Behgjet Pacolli.

“Behgjet Pacolli është financuesi kryesor për blerjen e armëve për luftë”.