Gashi kërkon nga Thaçi që të tërhiqet nga deklarata për aktivistin e LVV-së

E publikuar: 03/06/2020 22:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se presidenti, Hashim Thaçi duhet të tërhiqet nga deklarata e tij për aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Gashi ka thënë se “fjalori i presidentit Thaçi për arrestimin e një qytetari protestues në sheshin Nëna Terezë është nën çdo nivel të pranueshëm për gjuhën e një bartësi institucional”.

Ndryshe, presidenti Thaçi, duke komentuar arrestimin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, ai ka thënë se toleranca do të jetë zero për fyerje cenime fizike.

Postimi i plotë:

Presidenti duhet të tërhiqet!

Fjalori i presidentit Thaçi për arrestimin e një qytetari protestues në sheshin Nëna Terezë është nën çdo nivel të pranueshëm për gjuhën e një bartësi institucional.
Gjuha që po përdor presidenti është, thënë minimalisht, gjuhë e përçarjes dhe nxitjes, e jo e bashkimit e pajtimit!

Presidenti ka përfunduar detyrimet e tij kushtetuese. Komentimet që po vazhdon t’i bëjë për situatën politike nuk janë në frymën e pajtimit, unifikimit dhe përfaqësimit simbolik, frymë që duhet të prezantojë institucioni që ai drejton!

Gjuha dhe retorika e liderëve politikë, e veçanërisht e presidentit, duhet me patjetër të pastrohet nga urrejtja, nëpërkëmbja, poshtërimi dhe fyerja e kundërshtarit politik.