Garë e fuqishme në Prishtinë, analistët tregojnë se kush ka mundësi ta fitojë kryeqytetin

E publikuar: 13/10/2017 10:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë mbetur edhe 7 ditë deri në përfundim të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 22 tetorit. Njohësit e çështjeve politike po konsiderojnë se për këto zgjedhje po zhvillohet një garë e fortë, sidomos në kryeqytet.

Sa i përket Prishtinës, ata konsiderojnë se gara më e fuqishme është mes kandidatit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti dhe kandidatit nga LDK, Arban Abrashi.

Në një prononcim për Indeksonline, analisti Imer Mushkolaj thotë se përkundër se është garë e fuqishme mes këtyre dy partive, përparësi të theksuar përsëri ka Ahmeti.

Sipas tij, nëse LDK dhe kandidati i saj nuk aktivizohen këto ditë të fundit, atëherë kjo gjë do të shkojë në favor të Ahmetit.

“Një garë e fortë, por me një përparësi të theksuar të Shpend Ahmetit. Nëse LDK dhe kandidati i saj nuk aktivizohen seriozisht ditët e fundit të fushatës, gjasat janë që Ahmeti të fitojë pa balotazh. Duket se Abrashi nuk e ka përkrahjen e plotë të strukturave partiake në kryeqytet dhe kjo shkon në favor të Ahmetit”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa, analisti Bajrush Morina vlerëson se Prishtina do të jetë kryeqendra e garës zgjedhor të 22 teorit.

Në një prononcim për Indeksonline, Morina thotë se ai që e humb Prishtinën e humb krejt Kosovën, ndërsa ai që e fiton Prishtinën është fitues i zgjedhjeve të 22 tetorit.

Ai vlerëson se gara e fuqishme do jetë mes kandidatit të VV-se dhe LDK-së, ndërsa të tjerët do të jenë vetëm dekor politik.

“Prandaj në Prishtinë, në radhë të parë është beteja “Të jesh apo të mos jesh”. LDK është përballë sfidës për të fituar ndërkaq VV për të mbijetuar. Arban Abrashi mund ta rikthejë LDK-në aty ku ishte 4 vjet më parë e Shpend Ahmeti mund të jetë lideri më i fuqishëm në VV nëse arrin që përsëri të fitojë Prishtinën. Të tjerët do të jenë vetëm dekor politik”, ka deklaruar Bajrush Morina.

Ndryshe, fushata elektorale përfundon me 20 tetor, ndërsa zgjedhjet lokale do të mbahen me 22 tetor.