Formimi i UÇK-së

20.08.2020 14:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Formimi i UÇK-së

Nga Rrustem Mustafa

Para se të analizohen mënyrat dhe motivet e formimit të UÇK-së, duhet të pasqyrohet parahistoria e përplasjeve shqiptaro-serbe lidhur me përkatësinë e Kosovës.

Kosova është, ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë territor me identitet administrativ dhe politik. Në periudhën antike është quajtur Dardaní, ndërkaq gjatë periudhës së sundimit osman u quajt Vilajeti i Kosovës. Territori i këtij vilajeti ka qenë shumë më i madh, sesa ai i sotmi. Në të përfshiheshin: territori i sotëm i Kosovës, Sanxhaku, Lugina e Preshevës, Maqedonia Perëndimore etj. Qendra e këtij Vilajeti ishte Shkupi. Shumica absolute e popullsisë ishte iliro-shqiptare. Kosova pra, gjithmonë ka pasur statusin e entitetit të veçantë. Këtë status nuk e krijoi NATO-ja, por historia dhe tradita e begatshme e shqiptarëve.

Në vitin 1968 në Evropë shpërthyen demonstratat masive të studentëve dhe të punëtorëve. Këto demonstrata patën jehonë ideologjike në Beograd dhe jehonë kombëtare në Kosovë. Qendra e demonstruesve kosovarë ishte në Fakultetin Juridik në Prishtinë. Këto demonstrata të 27 nëntorit ndikuan që të ndryshohet statusi politik i Kosovës, pastaj edhe fshirjen e nocionit “Metohi”, kështu që Kosova qysh nga ai moment quhej Krahina Autonome e Kosovës.

Pra, demonstratat e vitit 1968, nxitën ndryshime rrënjësore kushtetuese, që dolën në shesh me miratimin e kushtetutës së vitit 1974. Ky ndryshim i statusit kushtetues të Kosovës ndikoi që serbët ta humbin pozitën e pakicës së privilegjuar. Humbjen e privilegjeve ata e përjetuan si diskriminim të tyre. Nga kjo klimë e krijuar filloi procesi i shpërnguljes së atyre, që nuk mund të jetonin pa privilegje. Këtë dukuri e shndërroi në ligjërim ankues shkrimtari serb, Qosiq, i cili i akuzonte autoritet jugosllave për albanizim të Serbisë.

Në vitin 1981 shqiptarët sërish nisën protestat, apo siç thoshin nacionalistët serbë, manifestimin e jolojalitetit të radhës së shqiptarëve dhe të popujve të tjerë josllavë ndaj shtetit të sllavëve të Jugut. Në fakt jolojaliteti ishte i natyrshëm. Parë nga të gjitha aspektet, shqiptarët nuk i takonin kontekstit sllav dhe prej fillimit ishte gabim aneksimi i Kosovës, që u bë me shpresë se autoritetet serbe do të arrinin t’i shpërngulin ata në Anadoll të Turqisë.

Në demonstratat e vitit 1981, një vit pas vdekjes së Titos, në të atillat që filluan në radhët e studentëve, u hodh kërkesa për barazim të statusit të Kosovës, duke u shpallur Republikë, ashtu si njësitë e tjera federative. Me parullën “Kosova Republikë” në fakt kërkohej që të barazohej pozita e shqiptarëve si komb dhe korrigjimin e gabimit për trajtim të tyre si pakicë, pasi që numri i përgjithshëm i shqiptarëve në kuadër të Jugosllavisë i rendiste ata në vendin e tretë, pas serbëve dhe kroatëve, e para sllovenëve, boshnjakëve, maqedonëve e malazezëve, të cilët sado numerikisht më të pakët, trajtoheshin si kombe.

Në realitet përsëritej i njëjti gabim si ai i Perandorisë Osmane që refuzonte t’i trajtonte ata si popull i veçantë, milet. Pas vitit 1981 filloi procesi i përplasjes së vitalitetit të shqiptarëve me mendësinë konservative dhe refraktare të serbëve. Ky antagonizëm do të shndërrohet në një krizë të thellë të kauzës serbe që filloi ta rrezikojë ngrehinën, idenë më të madhe serbe, Jugosllavinë. Serbët, duke dashur ta rregullojnë vetullën, nxorën syrin. Ata e shkatërruan Jugosllavinë.
Kundër kërkesës së shqiptarëve për Republikë, propaganda serbe zgjodhi rrugën e ngushtimit, reduktimin e mëtejmë të autonomisë së Kosovës.

Në fillim duhej që të intensifikohej propaganda për ndryshim të opinionit ndaj shqiptarëve. Duhej që ata të shpalleshin si agresorë, si dhunues, ndërkaq serbët si viktimë. Filloi faza “e revolucionit” të jogurtit. U krijua një situatë tragjikomike: serbët ishin në rolin e revolucionarëve, ndërkohë që në pauza, në mes të dy mitingjeve hanin byrek me jogurt, kurse shqiptarëve ua linin rolin e kundërrevolucionarëve dhe gjatë protestave, rriheshin, ndiqeshin, plagoseshin e ndonjë herë edhe vriteshin nga policia e shtetit. Ky epitet i radhës përdorej për t’i përvetësuar veteranët që dikur kishin luftuar kundër fashizmit.

Projekti i mposhtjes së udhëheqësve që nuk pajtoheshin me veprimet revolucionare të Milloshevíqit ishte tepër qesharak: tuboheshin njerëz të margjinave të veshur si dordolecë, me mjekra dhe rroba të palara e me shishen e rakisë në dorë brohorisnin emrat e atyre që duhet të jepnin dorëheqjen. Nëse ata do të hezitonin, përdoreshin metoda të tjera të shantazhit. Për ta suspenduar autonominë e Kosovës përdorën tanket, ndërkaq me të tjerët herë përdornin vezë, herë domate, herë mjete të tjera rrethanore.

Filloi procesi i bashkëpunimit të kishës, të nacionalistëve me komunistët serbë. Me këtë bashkëpunim do të shkelen vlerat shoqërore dhe politike, balancat e krijuara gjatë periudhës komuniste. Në vitin 1986 në këtë lojë të rrezikshme u kyç edhe Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, e cila demonstratat e studentëve i karakterizoi si agresion neofashist. Nacionalizmi, radikalizmi fetar dhe shkencëtarët akademikë u bashkuan në projektin për ndryshim rrënjësor të imazhit të shqiptarëve, duke përhapur imputime denigruese si dhunues, si antikrishterë, antievropianë dhe elemente të papërgjegjshme. Kjo propagandë, siç u tha më lart, e nxori në sipërfaqe Sllobodán Milloshevíqin, i cili i printe turmës që po krijonte revolucionin e ashtuquajtur antiburokratik.

Në vitin 1989 kur Armata Popullore Jugosllave shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, regjimi i Milloshevíqit me presionin e tankeve arriti të abrogojë statusin autonom të Kosovës, duke e shndërruar në një provincë të thjeshtë të Serbisë. Ky akt vinte ndesh statusit të lashtë të Kosovës si entitet i veçantë në të gjitha fazat e historisë, sidomos vinte ndesh me realitetin etnik, politik dhe balancat gjeopolitike.

Më 28 qershor 1989, në shënimin e 600-vjetorit të Betejës së mitizuar të Kosovës, Sllobodán Milloshevíqi para turmës së madhe deklaroi me shumë pasion dhe patetizëm, se edhe betejat ushtarake nuk përjashtohen. Pas kësaj ai i mbylli të gjitha institucionet e Kosovës: ato politike, arsimore, informative etj.

Më 2 korrik 1990 deputetët e parlamentit të Kosovës e miratuan deklaratën kushtetuese me të cilën Kosova u shpall Republikë, plotësisht e barabartë me njësitë e tjera konstituive të Jugosllavisë.
Ndaj këtij akti demokratik, legjitim të deputetëve të Kuvendit të Kosovës regjimi i Milloshevíqit reagoi me suspendimin e institucioneve autonome kosovare. Pas këtij suspendimi, shqiptarët filluan të krijojnë sistemin paralel arsimor, shëndetësor, kulturor, informativ, sportiv dhe politik. Mungonte vetëm ai ushtarak, pa të cilin, siç dihet nga përvoja, nuk mund të çlirohet asnjë popull.

Kreu politik i Kosovës me xhelozí e ruajti përcaktimin për politikë paqësore. Nga këto pozicione u refuzua ftesa për hapje të frontit të tretë për ta lehtësuar presionin ushtarak serb në frontin e Kroacisë dhe të Bosnjës. Mirëpo ky përcaktim për páqe, i shndërruar

në premisë ideologjike, ashtu si dogmat e tjera, kishte kufizimet e veta. Regjimi i Milloshevíqit nuk mërzitej më për etiketime të ndryshme, ngaqë ato u konsumuan gjatë luftërave në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë. Ata e realizonin projektin e Serbisë së Madhe ose të Jugosllavisë së serbizuar. Nga represioni që patën ushtruar, Kosova filloi të zbrazej. Popullata e lodhur nga skamja e dëshpëruar, nga perspektivat e errëta, filloi ta braktisë vendlindjen dhe të kërkojë rrugëdalje si refugjate anekënd botës. Ky depresion masiv sidomos erdhi në shprehje pas arritjes së marrëveshjes së Dejtonit, kur çështja e Kosovës mbeti anash dhe nuk u mor fare parasysh. Politika paqësore arriti pikën e fillimit të dekadencës. Fatmirësisht, në skenën historike dolën njerëz të rinj që ishin të gatshëm të përgatisin kryengritjen e vërtetë për çlirim të atdheut.

Atëherë kur shqiptarët nën përkujdesjen e administratës serbe po e lëshonin vendin e po iknin atje ku mundnin, në kohën kur një rajon i tërë kontrollohej nga dy policë serbë, në kohën kur me arrogancë të pafalshme prekej morali, integriteti, nderi i shqiptarëve, atëherë, nga shtresat e panënshtruara, të pakontaminuara të popullit u lëshua kumti dhe kushtrimi për luftë.

Akronimi magjik, ato tri gërma frymëzuese: “UÇK”, – ishte dhurata më e çmueshme që në fund të shekullit XX lëvizja kombëtare i dha popullit të vet. Do të ishte kjo dhurata që këtij populli do t’ia shërojë plagët e vjetra dhe do t’ia japë kodin që do të hapë horizontin e perspektivave të pandalshme për të ardhmen.

Pikërisht në këtë kohë dhe në këto rrethana po fillonte një Epokë e re – Epoka e UÇK-së.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi pas shumë bisedimeve, pas një përvoje gati 50-vjeçare të rezistencës së pandërprerë kundër shfarosjes, shpërnguljeve të pakthyeshme, kundër asimilimit dhe ndryshimit të identitetit.

Kundërvënia ushtarake ishte gjuha e vetme që e kuptonte okupatori, e vetmja metodë dhe e fundit që i shkaktonte dëme armikut.
Këto aksione që e dëmtonin strukturën ushtarake të armikut e që në kokat e serbëve të harlisur mbillte dyshimin për epilogun përfundimtar të këtij konflikti, nuk ishte punë e lehtë: luftëtarët e UÇK-së ishin të vetëdijshëm për potencialet ushtarake të Jugosllavisë, të përvetësuara njëanshëm nga Serbia. Ata dinin se edhe vetë janë në shënjestër të armikut, por pikërisht për këtë shkak, me guxim të rrallë hynin në aksione që e cënonin imazhin luftarak të serbëve. Në këto veprime sfiduese ushtarët e UÇK-së e rrezikonin jetën për të dëshmuar bindjen e tyre të thellë për lirí dhe për kapacitet moral, ushtarak, organizativ dhe profesional të shqiptarëve.

Tani, pas shumë analizave dhe përvojave në fushëbeteja, sidomos pas çlirimit të Kosovës, mund të përfundojmë se UÇK-ja dhe Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte projekti më me vlerë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

Lëvizje kombëtare shqiptare me në krye Adem Demaçin, pas këtyre përpjekjeve kishte sjellë përfundime të sakta dhe diku jepte dritën e gjelbër për fillimin e aksioneve të armatosura gjithandej ku mund të goditeshin forcat armike bashkë me ata që do t’i shërbenin armikut. Që nga viti 1993 shumë luftëtarë po jepnin prova të suksesshme në mbarë vendin dhe kështu e formësonin gueriljen e fortë dhe të pamposhtur, të cilësuar më vonë nga ekspertë të mëdhenj ndërkombëtarë si guerilja më e suksesshme e shekullit, e periudhës pas Luftës së Ftohtë, edhe pse u formua relativisht për një periudhë të shkurtër.

Procesi i formimit të UÇK-së s’do mend se u përcoll me shumë vështirësi, por veprimet e saj fituan mbështetjen e plotë të popullit, si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë. Lëvizja popullore po konsolidohej edhe më shumë. Ata po rivendosnin e riaktivizonin lidhjet e vjetra, po krijonin lidhjet e reja dhe po e shndërronin ilegalen në armatë të tërë për çlirimin e vendit.

Nën përkujdesjen e këtyre atdhetarëve po organizohej mbledhja e fondit, pas demonstratave të vitit 1989. “Vendlindja thërret!” – ishte mjeti më i njohur për mbledhjen e fondeve. Këta e organizuan grupin politik që do të merrte përgjegjësinë për kontakte politike-diplomatike të nevojshme për luftën. Krijuan grupe logjistike në Shqipëri dhe diasporë, grupe përgjegjëse për armatim, për teknikë luftarake dhe nevoja të tjera për çlirim.

Kështu, po operacionalizoheshin punët për gjithsecilin, saktë dhe me përgjegjësí të jashtëzakonshme. Këta të fundit po ua lehtësonin punën luftëtarëve që po luftonin drejtpërdrejt me forcat serbe, duke ua lejuar iniciativën e mjaftueshme për veprim në njësitë guerile në terren dhe duke i përkrahur ato pa rezervë me mundësi që shpeshherë ishin të pamundshme për kohën, e megjithatë ata e bënin këtë.

Pas dhënies së provave në terren dhe sukseseve të shumta, diku nga fillimi i viteve 1994 nën mbikëqyrjen e hollë të atdhetarëve, po bëheshin kontaktet e para të njësive të zonave të ndryshme në vend. Aktiviteti ishte orientuar kryesisht në krijimin dhe në organizimin e strukturave ushtarake.
Këto kontakte duke qenë shumë konspirative dhe duke dhënë informata vetëm aq sa i nevojiteshin njësitit me kujdes të shtuar, u pamundësohej involvimi i të padëshiruarve brenda UÇK-së, për të cilën po interesohej armiku dhe po bënte gjithçka për t’u futur në strukturat e kësaj organizate, ndonëse pa sukses. Këtë e pamundësoi kujdesi i hollë i njerëzve me përvojë që tanimë kishin përfituar përvoja të jashtëzakonshme në këtë drejtim.Viti 1995, shënon ngjarje të shumta të strukturimit dhe të shtrirjes territoriale të njësive guerile në tërë territorin e Kosovës, dhe arriti në një koordinim të lartë.
Në këtë kohë filluan takimet e para të shtabit operativ e po sinkronizoheshin në nivel të vendit aksionet e UÇK-së.

Po ndërmerreshin aksione të njëkohshme në mbarë vendin, duke ndodhur deri në 16 aksione brenda 1 ore në gjithë vendin, të urdhëruara nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së. Shtabi i përgjithshëm kishte caktuar në bazë të përvojës dhe rezultateve në terren komandant të shtabit operativ, aksionistin, strategun e madh të kohës, Zahir Pajazitin, njëri nga këta heronj që e mundën frikën, fillimisht në vete, pastaj edhe në popull, me bashkëluftëtarët Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu.

Kur të tjerët ishin të shuar, kur zemra e tyre nuk i ngrohte asnjë ideal, të lodhur, të brengosur, të frikësuar, Zahir Pajaziti u shfaq në skenën historike jo vetëm shqiptare, por edhe më gjerë, me bindjet e tij se kryengritja ka shans dhe se ne kemi kapacitete kundërvënëse dhe se fitorja jonë është e pashmangshme. Ai fliste, organizonte, vepronte dhe ne e dëgjonim, ndërronim dhe pak nga pak angazhoheshim në strukturat luftarake që krijonte ai me shokët.

Ai e sfidonte kohën, e luftonte mentalitetin tonë lokal, krijonte njësi në çdo pjesë të vendit dhe luftonte gjithmonë në ballë të frontit. Kjo vërtetohet me rënien në krye të detyrës, në qendër të vendit, bashkë me bashkëluftëtarët nga pjesë të ndryshme të vendit.
Vlera e tij ishte besimi në ideale kombëtare dhe rrjedhimisht në fitoren tonë përfundimtare. Sot, falë këtij burri, Kosova dhe shqiptaret janë të lirë dhe kanë aleatë faktorët më të përparuar të botës.

Zahir Pajaziti pati fuqi dhe vizion që ta godasë armikun, që në dukje ishte i pamposhtur; ai në mënyrë të përgjegjshme ngadhënjeu edhe mbi defetistët e brendshëm. Nuk bëri asnjë gabim taktik apo strategjik, por i dha luftës një dimension strategjik, atë të luftës për lirí të shqiptarëve, për ideale të përgjithshme njerëzore, duke i ikur lokalizmit që na kishte përcjellë nga koha kur komunikimi ishte i vështirë.
Pas shumë aksioneve spektakolare në nivel vendi, të cilat ndikuan në krijimin e imazhit pozitiv politik ndaj Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, policia serbe filloi arrestimet dhe ndjekjet e drejtueseve të UÇK-së. Gjatë kësaj periudhe kohore, UÇK-ja pësoi shumë nga rënia heroike e Zahir Pajazitit në përleshje me armikun më 31 janar 1997 dhe e bashkëluftëtarëve të tij: Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës.

Por, përkundër rënies së tyre, radhët e UÇK-së sa vinin e shtoheshin me vullnetarë e luftëtarë të rinj.
Vrasja e frikës dhe çlirimi prej psikozës së saj, që filloi ta konkretizonte Zahiri me shokë, tani po shënonte fillimin e një kapitulli të ri në rezistencën e shqiptarëve.
Këtë herë ata po shkonin një hap më tutje. Me luftën e UÇK-së, ata po trokisnin në portën e lirisë.

Komentet

Komente

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!


Gruaja godet burrin e vet me një enë kuzhine

Gruaja godet burrin e vet me një enë kuzhine

Kosova nderon viktimat e sulmit terrorist në ShBA

Kosova nderon viktimat e sulmit terrorist në ShBA

Bie numri i rasteve aktive me Covid-19, rritet numri i të shëruarve

Bie numri i rasteve aktive me Covid-19, rritet numri i të shëruarve

Mimoza Kusari thotë se Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti shtypin mendimin ndryshe brenda LDK’së

Mimoza Kusari thotë se Isa Mustafa dhe Avdullah Hoti shtypin mendimin ndryshe brenda LDK’së

OBSH: 180 vaksina antiCOVID-19 në zhvillim

OBSH: 180 vaksina antiCOVID-19 në zhvillim

The Economist: Një mbështetje e çuditshme e Izraelit nga Serbia dhe Kosova

The Economist: Një mbështetje e çuditshme e Izraelit nga Serbia dhe Kosova

Kurti për vizitë në Gjermani, takon politikanë të landeve Baden-Wuerttemberg dhe Bavari

Kurti për vizitë në Gjermani, takon politikanë të landeve Baden-Wuerttemberg dhe Bavari

Mustafa për Osmanin: I pranoj mendimet ndryshe, por jo veprimet ndryshe

Mustafa për Osmanin: I pranoj mendimet ndryshe, por jo veprimet ndryshe

Vuçiqi: Netanyahut do t’ia shpreh mospajtimin rreth njohjes së Kosovës

Vuçiqi: Netanyahut do t’ia shpreh mospajtimin rreth njohjes së Kosovës

Mustafa: Kurti dhe Osmani e kanë ditur që në ShBA nuk do të ketë ndarje

Mustafa: Kurti dhe Osmani e kanë ditur që në ShBA nuk do të ketë ndarje

​Tahiri: Parlamenti Evropian konfirmoi mbështetjen për liberalizimin e vizave

​Tahiri: Parlamenti Evropian konfirmoi mbështetjen për liberalizimin e vizave

Vetëvendosje: Krimi e korrupsioni problematikat kryesore të Kosovës, Qeveria Kurti do t’i luftojë ato

Vetëvendosje: Krimi e korrupsioni problematikat kryesore të Kosovës, Qeveria Kurti do t’i luftojë ato

Grenell: Kosovës dhe Serbisë në tallje u propozova që Ujmanin ta quajmë Liqeni Trump

Grenell: Kosovës dhe Serbisë në tallje u propozova që Ujmanin ta quajmë Liqeni Trump

​BE kërcënon me veprime ligjore ndaj Britanisë së Madhe për shkak të Brexit

​BE kërcënon me veprime ligjore ndaj Britanisë së Madhe për shkak të Brexit

Raka flet për fillimin e mësimit: Rreziku i infektimit nëpër shkolla ekziston

Raka flet për fillimin e mësimit: Rreziku i infektimit nëpër shkolla ekziston

Hungaria blen automjete luftarake gjermane Lynx për dy miliardë euro

Hungaria blen automjete luftarake gjermane Lynx për dy miliardë euro