Fitore e vështirë e Spanjës ndaj Iranit

E publikuar: 20/06/2018 22:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Spanja i është gëzuar fitores së parë në Kampionatin e sivjetmë Botëror duke fituar ndaj Iranit (1-0) në ndeshjen e xhiros së dytë në kuadër të Grupit B.

Gjysma e parë e takimit nuk dhuroi shumë raste shënimi dhe kur skuadrat shkuan në pushim, rezultati ishte ai i fillimit të ndeshjes (0-0).

Në fillim të pjesës së dytë, të dyja skuadrat e patën nga një shans, mirëpo më pas La Roja e zhbllokoi rezultatin.

Diego Costa shënoi për Spanjën (Foto: Getty Images)

Diego Costa pranoi një top në zonë, u rrotullua dhe goditja e tij u ndal në rrjetë (54′).

Në minutën e 63-të, futbollistët e Iranit ia dolën që ta fusnin topin në rrjetë, mirëpo me ndihmën e sistemit VAR, goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Iranianët e festuan golin që më pas u anulua (Foto: Getty Images)

Të dyja skuadrat në vazhdim të ndeshjes u përpoqën që të shënonin, spanjollët për ta vulosur fitoren, kurse iranianët e kërkonin barazimin. Megjithatë, deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk u shënua gol tjetër.

Irani ka tri pikë dhe do ta kërkojë kualifikimin ndaj Portugalisë në xhiron e fundit të fazës grupore. Iranianët duhet t’i mposhtin portugezët për t’u kualifikuar në fazën e eliminimit direkt. /Telegrafi/