FBI-ja ktheu pikturën e piktorit të njohur amerikan, e vjedhur para 40 vitesh nga një punonjës transporti (Foto)

E publikuar: 06/12/2018 11:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 1978, Robert Motherwell e kishte ndryshuar depon e studios dhe angazhoi një kompani transportuese, për t’i bartur pikturat nga njëra njësi në tjetrën. Përgjatë rrugës, dhjetëra vepra të tij u zhdukën.

Së paku njëra prej veprave, është gjetur dhe është kthyer prapa, transmeton Telegrafi.

Prokurori i Distriktit të Manhatanit, zhvilloi një ceremoni në qendrën e New Yorkut, për të kthyer veprën “Pa Titull”, që është realizuar nga piktori i njohur amerikan dhe u vjedh para 40 vitesh.

Piktura abstrakte, e realizuar nga Motherwell më 1967, do të kthehet në selinë e Fondacionit Delalus, që u themelua në vitin e njëjtë kur ai u nda nga jeta, që të promovojë punën dhe trashëgiminë e tij.

Kjo vepër e tij vlen miliona dollarë, duke pasur parasysh se piktura e tij “Ora Pesë e Pasdites” është shitur gjatë muajit maj për 12.5 milionë dollarë. Të dhënat tregojnë se mbi 30 vepra të tij janë shitur nëpër ankande, secila mbi një milionë dollarë.

Piktura e realizuar nga Motherwell me 1967

Gjithçka nisi të zbulohej, kur i biri i një punonjësi transporti, që tashmë është i vdekur, e kishte dërguar pikturën në Fondacionin Delalus, për të vërtetuar nëse ishte vërtetë e Motherwell. Zyrtarët e fondacionit, e krahasuan me pamjet e të dhënave, që përkasin në dosjen e pikturave të humbura.

Ky ishte momenti kur u përfshi njësiti i FBI-së, që merret me vjedhjet e veprave të artit. Individi që mbetet i paemëruara – nuk ka qenë në dijeni për vjedhjen dhe mbi të nuk rëndon ndonjë keq bërje – pranoi që vullnetarisht ta kthente pikturën prapa. Kjo besohet të jetë një kthesë dhe lehtësi e madhe, për gjetjen e pikturave tjera që ia janë vjedhur artistit. /Telegrafi/