Familja e katër dëshmorëve nga Prizreni, tregon se si u mashtrua për një vend të punës

E publikuar: 23/01/2017 22:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Anëtari i familjes së katër dëshmorëve, Fidan Shala, ndjehet i mashtruar nga pushtetarët. Ai thotë se që 18 vite është mashtruar për një vend të punës.

“Fillimisht më thanë “kur e kryen Fakultetin nuk ka diskutim, ti do të jesh i pari. Pasi që diplomova më thanë që nuk ke përvojë të punës, edhe pse kisha mbi 5 vite përvojë të punës”, rrëfen ai.

Fidani është anëtari i familjes Shala, që Kosovës, ia ka dhënë katër dëshmorë; babin, dy vëllezër dhe axhën.

Ai, në një postim në Facebook, tregon se si janë mashtruar në mënyrë më bizare nga pushtetarët për një vend të punës.

“Ndihem shumë i shqetësuar me këtë gjendje, ku unë Fidan Shala tash e 18 vite, nuk e kam gjysmën e familjes. Sa herë ulem në sofër për të ngrënë bukë, mua më mungon një sofër njerëz, që dhanë jetën për këtë liri e pavarësi të Kosovës,që 18 vite pas luftës, ende bredhim rrugëve të pa punë”, rrëfen ai.

Shala tregon se djali i vetëm i vëllait dëshmor është detyruar të emigrojë për shkak mungesës së një vendi të punës në Kosovë.

“Është i vetmi djalë që ma ka lënë dëshmori, dhe sot ky djalë i vetëm i dëshmorit, i dëshpëruar është detyruar që të bëj një zgjidhje për ekzistencën e tij dhe ka bërë një vizë pune dhe me datë 24 të këtij muaji po ikë për në Gjermani”.

“ A ka ma turp se kaq, ku edhe fëmijët e vetëm të dëshmorëve i detyrojnë të emigrojnë nga ky vend?!”.

“Babai i tij në vitin 1998, e la Perëndimin dhe u kthye për të dhënë jetën në Kosovë”.

“Turp ju qoftë!”

“Zoti herët apo vonë do të i dënojë, sepse historia e shqiptarëve, gjithmonë u fitua me luftë, por më pas ajo u rikthye, sepse si popull harrojmë shumë shpejt të kaluarën dhe mendojmë vetëm për veten dhe ata që ju shërbyen armiqve tanë”.
“Këtë brengë e mora vetëm si shembull për veten dhe familjen time. Mirëpo, unë si nënkryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve – Dega në Prizren, dëgjoj edhe më keq, kur ka fëmijë të dëshmorëve që tashmë nuk e kanë edhe të drejtën për pension, sepse i kanë kaluar 18-të vite dhe nuk e kanë asnjërin prindër dhe ata sot kërkojnë edhe lëmoshë”.

Kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës të UÇK-së (SHIL ) në Prizren, Burim Shala, ka akuzuar ndërkaq bashkëluftëtarët e tij, se nuk kanë bërë asgjë për fëmijët e dëshmorëve.

Ai thotë se fëmijët e dëshmorëve janë të vetmit që nuk janë punësuar, pas përfundimit të luftës.

“Disa bashkëluftëtarë tanë që sot janë në politik kanë punësuar fëmijët e spiunëve, vëllezërit e motrat e tyre, kurse kanë harruar fëmijët e dëshmorëve”, tha Shala,shkruan PrizrenPress.

Sipas tij, fëmijët e dëshmorëve janë lënë anash, “sepse dëshmorët janë harruar”.

“Fëmijët e bashkëluftëtarëve tanë që sot janë dëshmorë i kemi lënë në lëmosh dhe kemi dëshirë të vinë të luten tek ne, për ndonjë vend pune”,
“Nuk ka ma turp se ti thuash dikujt ky është djali ose vajza e dëshmorit që ti e ke pasur kinse shok në luftë dhe po këta fëmijë janë ende të pa punë”, shprehet Shala./PrizrenPress.com/