Engel në takim me Veselin: BE-ja të ndërmarrë hapa të shpejtë për liberalizimin e vizave dhe Serbia ta njohë Kosovën

E publikuar: 17/07/2019 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Engel në takim me Veselin: BE-ja të ndërmarrë hapa të shpejtë për liberalizimin e vizave dhe Serbia ta njohë Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në vazhdën e takimeve në SHBA, është pritur sot në takim nga kongresmeni Eliot Engel.

Gjatë këtij takimi, siç njofton kumtesa, u diskutua për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë – SHBA, për zhvillimet politike në vendin tonë, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, mbështetjen amerikane në këtë proces dhe perspektivën euro-atlantike të shtetit të Kosovës.

Veseli, thuhet në komunikatë, falënderoi kongresmenin Engel për angazhimin e tij të gjatë prej disa dekadash në mbështetje të Kosovës dhe nëpërmjet tij, shtetin dhe popullin amerikan.

Kongresmeni Engel, nga ana e tij, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në të gjitha proceset që ajo ka para vetes.

“Engel tha se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe të punojë bashkë me Kosovën në proceset euro-integruese. Ai po ashtu tha se Serbia duhet ta njoh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës”, thuhet në komunikatën nga Kuvendi.

Në këtë takim, Kryeparlamentari Veseli dhe kongresmeni Engel folën edhe për nismën e kryeparlamentarit kosovar për dënimin e gjenocidit dhe krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë.

Engel tha se kriminelët duhet të përgjigjen para drejtësisë për të gjitha krimet që kanë kryer ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.