Egla Ceno: Si e përjetoj divorcin në shfaqjen e fundit dhe ç’mendoj për përplasjet mes burrit dhe gruas

E publikuar: 06/05/2018 17:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Egla Ceno rrëfen në këtë intervistë për “Panorama Plus” eksperiencën e saj në “Natën ma”, ku përmes dialogëve, publikut i shfaqet si deja vu përmbysja e roleve nënë-bijë që ndodh rëndom sot. Mes saj dhe Ilire Vincës ekziston një humnerë e thellë komunikimi, por edhe një thirrje gjaku sikur të ishin vërtetë nënë e bijë, në vënien skenike të Ema Andreas. Për natën e mirë dhe të fundit me nënën dhe ç’mendon realisht për marrëdhënien burrë-grua, aktorja e serialit italian “100 vitrinat” i zbulon në këtë rrëfim:

“Natën ma”, është shfaqja që po emocionon publikun në Teatrin Metropol. Nëse do të ishe spektatore e kësaj shfaqjeje, do të qaje, apo thjesht do të heshtje për të mbytur mendimet e këqija?
Pjesa “Natën ma” e Marsha Norman nuk të fton në mendime të këqija! Më emocionoi shumë kur e lexova për herë të parë dhe më emocionon çdo natë kur e luaj në teatër, sepse është kaq e thjeshtë, e pasur dhe e vërtetë. Përveç një strukture dramaturgjike ku spektatori informohet që në fillim për qëllimin e protagonistes, “Natën ma” ka dialogë shumë të pasur me anë të të cilëve shpaloset ngadalë përmbysja e roleve nënë-bijë. Xhesi, pra, unë është një bijë që është mësuar të luajë rolin e nënës për nënën e saj Mes të dyjave, ekziston një humnerë e thellë moskomunikimi. Pjesa nuk merr për-sipër të japë përgjigje apo të gjykojë, ajo fokuson spektatorin në tematika shumë të rëndësishme, si ajo e marrëdhënieve në familje.
Vepra e shkruar nga autorja Marsha Norman, riktheu Ema Andrean si regjisore. Si ndodhi që të propozoi ty për këtë rol të vështirë, njiheshit më parë dhe çfarë do të mbash mend ky bashkëpunim?
Me Emën njiheshim për së largu, Tirana është e vogël, akoma më e vogël hapësira që ndajnë artistët, kështu që e njohim disi njëra-tjetrën, Asnjëherë nuk na kishte rënë rasti të bashkëpunonim. Ndoshta do e kishim bërë më herët, nëse nuk do kisha kaluar 15 vjet të jetës time në Itali, por më mirë vonë se kurrë. Jam e privilegjuar që një artiste si Ema merr në dorë një pjesë “Pulitzier”, nominuar 4 herë në “Tony Awards” dhe i shkoj nëpër mend unë si aktore, për rolin e Jessie-t. Është një nga ato role që çdo aktore do të donte ta kishte në karrierën e vet artistike. Ky bashkëpunim më dha dy mikesha të mrekullueshme, Emën dhe kolegen time nga Kosova, Ilire Vinca. Një kombinim human dhe artistik që më ka lënë një shije fantastike dhe më ka rritur akoma më shumë pasionin dhe dashurinë për teatrin.

Ishte e vështirë të hyje nën lëkurën e një personazhi që vuan dramën e saj të depresionit kronik dhe dorëzimit pas divorcit dhe sa të thërret gjaku në role si vajza e Ilire Vincës?
Vepra rrëfen që në fillim që kjo do të jetë një “natën e mirë” e fundit mes nënës dhe të bijës. Ishte kollaj të bije në kurthin e dramës (si aktore) dhe të luaje një lloj rezultati… kemi punuar nga 12 orë në ditë me këtë vepër, nuk mund të gabonim. Mua nuk më pëlqen “të gënjej” në skenë dhe punova shumë për të bërë më të mirën që mundem. Me Iliren gjeta jo vetëm një kolege të dedikuar, me pasion e dashuri për këtë që bëjmë, por edhe një mike të rrallë.
E shkruar nga skenaristja amerikane Marsha Norman më 1983, kjo dramë ka fituar “Pulitzier” dhe është nominuar për çmime të rëndësishme. Pas 35 vitesh nga koha kur është shkruar, mendon se është dobësuar apo është forcuar marrëdhënia nënë-bijë?
Nuk di të them saktësisht nëse është dobësuar apo forcuar, por di shumë mirë të them që kjo vepër i flet shumë shoqërisë tonë, e cila është gjithmonë në fazë ndryshimesh thelbësore, që, dashje pa dashje, krijojnë tension, konflikt… sidomos te të rinjtë. Impakti i parë i këtij presioni ndryshimesh është në familje.
Duke qenë se të kemi parë me Vis Pupën në rolin e gruas së tij televizive. Të humbësh burrin, dashurinë apo martesën, a mund të jetë shumë traumatike dhe si e përjeton personazhi yt?
Mendoj se varet nga mënyra si e përjetojnë ata që përballen me këtë problem në jetën reale. Rolet që bëj unë, janë fiction, edhe pse si çdo artist, kërkoj dhe gjej frymëzim në jetën reale. Personazhi im i fundit Jessie, nuk përjeton si traumë ndarjen nga burri… është një kompleksitet ngjarjesh, rrethanash, marrëdhëniesh.
Ka disa gra të njohura, të cilat japin leksione jetëgjatësie dhe mirëqenieje, duke këshilluar mbajtjen larg të burrave. Sa dakord je me to dhe e konsideron mashkullin gjysmën më të mirë pa të cilin jeta jetohet përgjysmë?
Jam e sigurt që nëse një grua “jep leksione” të tilla ka nevojë për disa orë me psikologun, sepse diçka ka ngecur në mekanizmin e saj! Do ju citoj dy rreshta të Gaberit, që i dua shumë dhe përfaqësojnë edhe mendimin tim mbi këtë temë: “Burri dhe gruaja janë të ndryshëm. Unë mendoj se jo vetëm duhet të jenë të tillë, por duhet edhe t’i thellojnë këto ndryshime, sepse është për shkak të kësaj përplasjeje mes një burri dhe një gruaje, që lëviz tërë universi”. / PANORAMA PLUS