Vendimi i Qeverisë së Serbisë për të zhvleftësuar një vendim tjetër, atë të Kuvendit të Kosovës për Trepçën, është parë si veprim qesharak nga një ish-politikan i Beogradit.
Këshilltari i dikurshëm i kryeministrit, Zoran Gjingjiq, e po ashtu edhe ish-ambasador i Serbisë në Izrael, Mile Isakov ka thënë se shefi i qeverisë, Aleksandar Vuçiq bëri veprime qesharake në lidhje me gjigantin e minierave dhe minerale në Kosovë, përcjellë Klan Kosova.
“Kush është me këtë rast i marrë e kush i trazuar? Ata e miratuan ligjin në Kuvend, ne i përgjigjemi me një vendim të qeverisë që atë ligj e zhvleftëson dhe e shfuqizon. Dhe me kaq u zgjidh problemi. Aq thjeshtë sa më thjesht nuk ka mundur të bëhet. Thjesht gjeniale! Po si nuk u kujtua kurrkush më herët për këtë gjë? Nuk e japim dhe pikë. Tingëllon mirë, por këtë e kemi thënë edhe për Kosovën, e është pikërisht Kosova ajo që po na e merr tash pasurinë. Dhe atë e bën në mënyrë të njëjtë (sikur kur e shpalli pavarësinë) e shpall dhe fund”, ka shkruar Isakov, duke ironizuar veprimin e Beogradit në një kolumne të botuar në shumë medie të Serbisë, transmeton Klan Kosova.