“Do qëndroj në kuvend që të ju shoh prapa grilave” – sa e ka afër Anton Quni, t’i dërgojë në burg Thaçin e Veselin

E publikuar: 10/02/2019 18:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Kanë kaluar gati dy vite, që kur deputeti i LDK-së, Anton Quni, kërcënoi publikisht presidentin Thaçi dhe kryeparlamentarin Veseli, se është duke punuar që këta të dy t’i dërgojë në burg. Madje, u pati thënë gjatë kohës së luftës, ata kishin qenë frikacakë. Sot deputeti Quni, i ka zbutur fjalët. Nuk iu referohet Thaçit dhe Veselit si frikacakë dhe nuk tregon se a është duke punuar për dërgimin e tyre në burg, siç ishte zotuar në maj të vitit 2017.
“Do qëndroj në Kuvend që të ju shoh prapa grilave” – sa e ka afër Anton Quni, t’i dërgojë në burg Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin
Kishte qenë data e 10 majit, të vitit 2017, pikërisht në seancën e Kuvendit, kur po shkarkohej qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa, ku deputeti i LDK-së, Anton Quni, kërcënoi publikisht presidentin Hashim Thaçi dhe kryeparlamentarin, Kadri Veseli. Pati thënë se arsyeja e vetme që e shtynë të qëndrojë në pozitën e deputetit, është dërgimi i tyre [Hashim Thaçi, Kadri Veseli v.j], në burg. “Ju jeni arsyeja që më detyroni të qëndroj ende në këtë Parlament. Ndoshta e ndjeni vetën fitimtarë në këtë betejë. Por, shihemi në finale. Por, një gjë iu garantoj. Për të gjitha ato mjerime që iu keni shkaktu qytetarëve të Kosovës. Për të gjitha ato shantazhe. Për të gjitha ato manipulime që i keni bërë – ju po më detyroni të qëndrojë këtu, derisa t’iu shoh juve prapa grilave. Ju atu e keni vendin – prapa grilave”, kishte thënë Quni në vitin 2017. E ky fjalim i Qunit, i parë me entuziazëm të madh nga kundërshtarët e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, kishte qenë fatlum për deputetin e LDK-së. Në zgjedhjet e mbajtura në qershor të 2017-ës, një muaj pas fjalimit, Anton Quni, kishte marrë hiç më pak se 28623 vota (28 mijë e 623), apo mbi katër mijë vota, më shumë se që kishte pasur ai në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2014. Ani pse kanë kaluar afër dy vjet, nga zotimi i Qunit – Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nuk gjenden në burg.
Insajderi ka kontaktuar me deputetin e LDK-së, duke e pyetur se a është dhe ka është duke punuar për zotimin e tij të bërë para dy vitesh. Përgjigja e Qunit, tani është shumë më e butë. Nuk iu referohet Thait dhe Veselit si frikacakë dhe nuk tregon se a është duke punuar për dërgimin e tyre në burg – si kishte thënë para dy vitesh. Zotimin e mëparshëm të tij, tani Quni po e lidhë me Edit Durhamin dhe deklaratën e saj, se “shqiptarët nuk e denoncojnë kriminelin dhe kjo eshte pengesë për krijimin e shtetit”. Quni thotë se konkludimi i Durhamit, është i saktë edhe për kohën e tanishme.
“Edit Durham: shqiptarët nuk e denoncojnë kriminelin dhe kjo eshte pengesë për krijimin e shtetit. Ky konkludim, i cili e pasqyron mendjesinë dhe kulturen tonë, fatjeqesisht është më se i sakt dhe aktual edhe sot”, ka thënë Quni. Sërish vazhdon me citimin e Edit Durhamit. Thotë se “zakoni i keq, i mosgatishmërisë së qytetarëve për të mosbashkpunuar me institucionet kompetente për çështje të tilla [krimit v.j] edhe 100 vite pas po na shoqeron në të gjitha zhvillimet shoqerore-politike”. “Zonja Durham, si shtetase e huaja, ishte e dashuruar në vlerat tona kombëtare, por ja që heshtja e shqiptarëve karshi krimit ishte paradoks i llojit të vet dhe nuk kishte kaluar pa u verejtur as nga ajo. Ky zakon i keq, i mos gadishmërisë së qytetarëve për të bashkëpunuar me institucionet kompetente për çeshtje te tilla, edhe 100 vite pas po na shoqeron në të gjitha zhvillimet shoqerore-politike”, ka shtuar deputeti i LDK-së. “Deri tek një shtet i cili do te shquhet me sundim te rendit dhe ligjit, dhe ku krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk kan vend, do te duhen ndërmarrë një sërë masash paralelisht nga shoqeria dhe institucionet shteterore në fushen e arsimit, kultures, drejtesise, sigurisë, etj me të cilat me pas do të zhvillohet standard i lart per tu adresuar krimet dhe të gjitha ato dukuri negative të cilat i rrenojnë vlerat e shoqerisë dhe shtetit. Këto masa për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit duan kohe, burime njerëzore dhe financa nën menaxhim të mirë si rezultat i politikave te shëndosha shtetërore.”, ka thënë Anton Quni. Quni shton se deklarimi i tij i para dy vitesh, ka qenë në suaza të kompetencave si deputet i Kuvendit. Shton se këtë është duke e bërë edhe tani: “çdo deputet e ka për detyrë, poashtu dhe unë, që brenda mandatit dhe autorizimeve qe kemi t’i adresojmë çështjet të cilat jane ende tabu temë dhe qe e pengojnë ndërtimin e shtetit”, duke mos u përgjigjur në mënyrë të saktë në pyetjen e Insajderit. “Këto masa për forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit duan kohe, burime njerëzore dhe financa nën menaxhim të mirë si rezultat i politikave te shëndosha shtetërore. Në të gjitha këto zhvillime roli i deputetit ështe i veçantë edhe për faktin se ka përgjegjësi ndaj atyre që ja kanë dhënë besimin. Prandaj, cdo deputet e ka për detyrë, poashtu dhe unë, që brenda mandatit dhe autorizimeve qe kemi t’i adresojmë çështjet të cilat jane ende tabu temë dhe qe e pengojnë ndërtimin e shtetit. Heshtja para dukurive kriminale, pa marrë parasysh kohen kur kanë ndodhur, dhe bartësve te saj është e barabart me aktin kriminal. Deputeti këto tema i adreson vetëm në suaza të Kushtetutes, ligjeve dhe rregullave brenda parlamentit. Çdo ndërhyrje tjetër, jashtë etikës dhe rregullave parlamentare, është ndërhyrje në pushtetet e ndara dhe moralisht e pajustifikueshme. Prandaj, une potencoj edhe njehere qe fjalimet dhe i gjithe angazhimi im si perfaqesues i popullit, është i përfshire brenda shpjegimit të potencuar më lart”, ka përfunduar deputeti Quni. Deputeti Quni, i ka ikur pyetjeve të Insajderit, se a ka bërë dicka konkrete lidhur me zotimin e tij të para dy vitesh? Dhe kërcënimi i tij kundrejt Thaçit dhe Veselit, a ishte bërë për të bëmat e tyre [Hashim Thaçi, Kadri Veseli v.j], gjatë luftës, apo pas saj. Kjo pasi që, në fjalimin e para dy vitesh, Quni, kishte thënë se i njeh Thacin dhe Veselin edhe në vijat e frontit. Iu kishte thënë se kanë qenë frikacakë. “I njoh nga vijat e frontit. I njoh nga situatat shumë të rrezikshme. E di se në ato situata, kanë dështu. Para publikut paraqiten si heronj, por në fakt janë frikacakë. Unë e kam ditë se nuk jam në gjendje që ju të ju përcjelli në hap”, kishte thënë ndër të tjera Quni, në maj të vitit 2017.
VIDEO/ Kërcënimi publik i Anton Qunit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, i bërë në maj të vitit 2017. Fjalimi i Qunit ishte bërë në ditën kur Partia Demokratike e Kosovës, së bashku me partitë e atëhershme në opozitë (Lëvizjen Vetëvendosje, AAK dhe Nisma Socialdemokrate), kishin votuar mocionin për rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa, kryetar i atëhershëm dhe i tanishëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga nëntori i vitit 2014 e deri në maj të vitit 2017, kishte bashkëqeverisur me Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo e fundit në momentin e nënshkrimit të koalicionit me LDK-në, udhëhiqej nga Hashim Thaçi, i cili shumë shpejt e dorëzoi postin e kryetarit të PDK-së, pasi që më 26 shkurt, 2016, ishte bërë president i vendit, nga shumica e votave të deputetëve të LDK-së. Kreu i PDK-së, kishte kaluar tek Kadri Veseli, i cili ishte bërë kryetar i Kuvendit, po ashtu i ndihmuar nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës./Insajderi.com Shënim: Edit Durhami – Shkrimtare britanike, e cila kishte vizituar Shqipërisë, gjatë viteve 1900. Ajo shkruajti shtatë (7) libra rreth çështjeve të Ballkanit, njëra nga to, është edhe “High Albania” (Shqipëria e Epërme) e shkruar në vitin 1909. Ky libër është më i njohuri nga Durham.