Dhjetëra veteranë u pajisen me certifikata

E publikuar: 10/07/2015 14:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Në një ceremoni solemne, në selinë e shoqatave të luftës, sot dhjetëra veteranë janë pajisur me certifikata.
Me këtë rast kryetari i Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të luftës së UÇK-së, Agim Çeku, ka thënë se verifikimi i veteranëve ka qenë një proces jashtëzakonisht i gjatë, i mundimshëm dhe kompleks.
Megjithatë, ai ka thënë se ndihet më mirë, meqë procesi është në  fazën përfundimtare. “Sekretaria i ka shikuar dhe i ka sistemuar të gjitha ankesat nëpër njësi dhe e kemi parë që një numër i madh i veteranëve nuk janë subjekt i asnjë ankese, pra askush nuk është ankuar për statusin, i cili ju ka caktuar nga komisioni. Prandaj, kemi vendosur që atyre veteranëve që nuk janë subjekt i asnjë ankese të ju shpërndajmë certifikatat dhe vendimet për statusin veteran luftëtar”, ka thënë Çeku.
Ai u ka bërë thirrje veteranëve që ta presin Qeverinë deri sa ta nxjerrë një udhëzim administrativ me të cilin  caktohet lartësia e kompensimit financiar, kushtet, mënyrën, modelin dhe kohën nga e cila fillon marrja e këtij kompensimi financiar për veteranët luftëtar. Sipas Çekut, lëshimet eventuale që janë bërë do të përmirësohen dhe ata që janë ankuar nuk duhet të dëshpërohen. “Ka ndodhur një lëshim i pa qëllimshëm në disa raste, mirëpo ankesat do të shqyrtohen me seriozitetin më të madh dhe atëherë do të mundohemi të jemi sa më objektivë dhe t’ia njohim secilit kontributin që e ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë tonë”, ka theksuar Çeku.
Ai ka thënë se shpërndarja e certifikatave do të vazhdojë për çdo zonë dhe njësi njëkohësisht do të vazhdojë procesi i trajtimit të ankesave. Çeku ka falënderuar bashkëpunëtorët e tij në sekretariat, që kanë punuar ditë e natë që të përmbyllet me sukses ky proces i shumëpritur.