Dështon votimi i Komisionit ‘ad hoc’ për forcimin e procesit zgjedhor

E publikuar: 12/04/2019 13:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të votojë për formimin e Komisionit “ad hoc” për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor, meqë nuk kanë qenë votat e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë, raporton zeri.info.

Me 49 vota “pro”, kjo pikë e propozuar nga shefi i GP-së së PDK-së Memli Krasniqi për t’u futur në rend dite, nuk kaloi në seancën e sotme.

Për formimin e këtij komisioni gjatë seancës së sotme pati mjaft diskutim, pasi që dy subjektet parlamentare, AAK e PSD, propozuan që në vend të udhëheqësve të Grupeve Parlamentare si anëtare të viheshin dy deputetet femra, Donika Kadaj-Bujupi e Shqipe Pantina.

Pavarësisht kësaj, në votim u vendos komisioni me emrat që ishin dakorduar në fillim: Avdullah Hoti, kryesues i komisionit, Memli Krasniqi zëvendëskryesues i parë, Glauk Konjufca anëtar, Dardan Sejdiu anëtar, Ahmet Isufi anëtar, Sasha Milosaleviq anëtar, Billall Sherifi anëtar, Albert Kinolli zëvëndëskryesues i dytë, Blerta Deliu-Kodra anëtare, Albulena Haxhiu anëtare dhe Arben Gashi anëtar.

Përkundër kësaj, Kuvendi i Kosovës arriti ta votojë kërkesën e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, për zgjatjen e mandatit dhe për emërimin e zëvendskryesuesit të këtij Komisioni Hetimor.

Menjëherë pas kësaj deputetët shkuan në pushim, për t’u rikthyer sërish në orën 15:00/Zeri