Dështon seanca ndaj të akuzuarve për 20 grabitje të bizneseve në Prishtinë

E publikuar: 07/11/2018 16:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Seanca gjyqësore ndaj Eset Dragushës dhe Albert Lecit, të akuzuar për kryerjen e mbi 20 grabitjeve nën kërcënimin e armës, ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Shkak për dështimin e kësaj seance ishte mungesa e përfaqësuesit nga Prokuroria.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vehbi Kashtanjeva deklaroi se ftesa për pjesëmarrjen në gjykimin është dërguar prokurorisë më 12.10.2018, e që vërtetohet nga fletë dërgesa, por sipas tij një mungesë e tillë nuk është arsyetuar.

Në seancën e sotme prezent ishin mbrojtësit e të akuzuarve Eset Dragusha e Albert Leci. Po ashtu prezent ishin edhe disa prej të dëmtuarve, si: Antigona Gashi, Besim Krasniqi, Emin Gashi, Xhemajl Maliqi, Lutfije Selimi, Artan Simnica dhe Shpend Sadiku.

Gjykatësi Vehbi Kashtanjeva bëri të ditur se gjykimi për këtë rast shtyhet për datë të pacaktuar, kjo për arsye të agjendës së ngarkuar të trupit gjykues.

Sipas aktakuzës së ngritur më 25 prill 2018 të akuzuarit Eset Dragusha dhe Albert Leci, akuzohen se gjatë muajit mars 2017 e deri në muajin nëntor 2017 kishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme dobi pasurore duke grabitur shuma të ndryshme të të hollave, nga shuma më e ulët prej 100 euro, deri tek shuma më e lartë që kap vlerën 6000 euro, raporton kallxo.com.

Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i përfituan kundërligjshëm dhe atë nën kërcënimin e armës nga të dëmtuarit, “Maxi”, “Albi Mall”, “Meridian Expres”, “Kam”, “Vipros”, “Albi”, barantorja “Humana”, pastaj në pompat e derivateve “Petrol Company”, “ Veda 3”, “Labi Oil”, “Veda Petrol”, në “Wester Union” si dhe në kazinon “Play 4 Win” etj…

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Dragusha e Leci se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale të grabitjes dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës.