Demolli kërkon mbështetjen e Francës për ta bërë ushtri FSK-në

E publikuar: 21/10/2016 16:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, në takimin njoftues me ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Didier Chabert ka biseduar për shumë çështje, por me theks të veçantë ka kërkuar përkrahjen e Francës në bërjen e FSK-së ushtri.

Mbështetja dhe përkrahja e Francës për Kosovën në drejtim të ndërtimit dhe funksionalizimit të sektorit të sigurisë, me theks të veçantë transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, është më se i nevojshëm nëpërmjet mekanizmave të fuqishëm që posedon Franca aktualisht kudo në organizatat me peshë të organizimit evropian e më gjerë, ka thënë në takim Demolli.

Demolli ka çmuar lart kontributin e kontingjentit të Francës në kuadër të KFOR-it dhe gjithë interesimin dhe angazhimin që ka treguar Franca si njëra ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e vendit tonë.

Ministri Demolli gjithashtu i shprehu ambasadorit francez interesimin e Kosovës dhe MFSK-së që të iniciohet dhe zhvillohet procesi për formatizimin e bashkëpunimit ndërmjet MFSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Francës me memorandum bashkëpunimi, sikurse që MFSK-ja e ka aktualisht me 12 shtete anëtare të NATO-s dhe vende tjera, siç janë Britania e Madhe, Ajova (SHBA), Gjermania, Hungaria, Kroacia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi etj.

Nga ana e tij, ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert u shpreh jashtëzakonisht i interesuar për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, si dhe për përkrahjen e tij në aktivitetet dhe planet në të ardhmen. Ai tha se ashtu siç e kemi njohur pavarësinë e Kosovës, si një ndër shtetet e para, ashtu do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në zhvillimin e saj demokratik e të qëndrueshëm.

Kjo është vizita e parë që Didier Chabert, ambasador i Francës, zhvillon në detyrën e shefit të misionit diplomatik.