Daçiq i bindur: Kosova do të pësojë debakël në votimin për INTERPOL dhe UNESCO

E publikuar: 05/11/2018 15:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, po insiston se Kosova nuk duhet të pranohet në INTERPOL madje as në UNESCO.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, është shprehur i bindur se Kosova nuk do të jetë në gjendje të pranohet në INTERPOL.

Sipas tij, do të ishte shumë më mirë që Kosova të mos aplikojë fare në INTERPOL, pasi që siç deklaroi ai, do të besonte një debakël të madh edhe pse ka presion të madh dhe mbështetje të fortë për anëtarësim në këtë organizatë.

“Presionet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe Kosova ka mbështetje të forta nga vendet perëndimore dhe islamike”, ka thënë Daçiq për “Tanjug”, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, pavarësisht se Kosova ka ndarë fonde nga buxheti i saj për të lobuar për anëtarësim në INTERPOL, ky lobim sipas tij, nuk do t’i hyjë në punë Kosovës, pasi që në votim do të shihet se sa mbështetje do të ketë Kosova.

Daçiq në këtë intervistë, ka theksuar se ai nuk është duke bërë propagandë dhe nuk është duke gënjyer për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Meqë vazhdojnë të më thonë se janë gënjeshtra ato që po bëj për tërheqjen e njohjes, këtë do ta shohin se në votim se sa vota i kanë. Prandaj ata më mirë është të mos aplikojnë për anëtarësim, sepse ky do të jetë një debakël”, u shpreh Daçiq.

Ai ka shtuar se INTERPOL mund të shkel statutin në lidhje me Kosovën, pasi që sipas tij, Kosova nuk i plotëson kushtet që të anëtarësohet në këtë organizatë.

Sipas Daçiqit INTERPOL edhe më herët ka shkelur statutin e tij kur ka dashur që të arrij qëllimin apo të bëj anëtare ndonjë shtet të ri.

“Disa vende perëndimore i dërgojnë të gjithë anëtarëve të INTERPOL-it një letër që duhet të votojnë për Kosovën dhe pastaj dikush po ankohet se po lobojmë që të mos e njihet Kosova. Këto nuk janë gënjeshtra”, tha Daçiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Sipas tij, ndryshe nga INTERPOL-i, ku disa vende ende nuk janë të vendosura në lidhje me qëndrimin e tyre nëse Kosova duhet të jetë anëtare e kësaj organizate apo jo, Daçiq thotë se situatë krejt tjetër është për anëtarësim në UNESCO.

Sipas tij, përpjekja e Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO do të jetë shumë më e vështirë.

“Para tre viteve ishim dëshmitarë se Kosova e pati shumë të vështirë që të hyjë në UNESCO dhe duke e parë këtë rekomandoj që Kosova as të mos e provojë përsëri një gjë të tillë”, theksoi Daçiq.

Sipas tij, Kosova nuk mund të anëtarësohet në asnjë organizatë ndërkombëtare përfshirë INTERPOL-in, UNESCO-n, OKB-në apo OSBE-në, pa u arritur një marrëveshje në dialogun që është duke u zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përcjell lajmi.net.

Ai në këtë intervistë e pranoi se Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme të Serbisë, në juridiksionin e tyre origjinal, ndihmojnë në luftën për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Sipas tij, i gjithë ky mobilizim i Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL po bëhet me pretendimet që kjo organizatë të mos politizohet.