Çka po ndodh në Gjakovë, pesë vetëvrasje gjatë këtij viti

E publikuar: 05/05/2018 13:37
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pothuajse çdo javë edicionet kryesore të lajmeve vendore nisin me kronika të vdekjeve të dyshimta, të cilat më pas organet e hetuesisë i konstatojnë si vetëvrasje. Rastet e vetëvrasjeve janë rritur në Kosovë dhe Komuna e Gjakovës po del të jetë më e prekur nga kjo dukuri. Por çka po ndodh në Gjakovë dhe cilat motive po i shtyjnë qytetarët të kryejnë aktin më mizor?
Mediat në vazhdimësi po raportojnë këto raste të rënda. Raporti i katër mujorit të parë tregon se gjatë muajve janar-prill 2018 në Polici janë raportuar pesë raste të veverasjeve vetëm në komunën e Gjakovës. Një e tillë ndodhi gjatë ditës së mërkurë.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimja thotë për Gazetën Express se në katër mujorin e parë në komunën e Gjakovës u raportua për pesë vetëvrasje.

“Ju njoftoj se në zonën e përgjegjësisë së stacionit policor në Gjakovë për periudhën kohore Janar-Prill 2018 janë raportuar 5 (pesë) raste të kësaj natyre e që për të gjitha këto raste janë marr veprime hetimore në bashkëpunim me prokurorin e shtetit”, thotë Podrimja.

Motivet dhe rrethanat në të cilat janë kryer këto vetëvrasje janë të ndryshme. Dy nga ta kishin telashe me borxhe.

Të mërkurën mbrëma 59- vjeçari, Ilir Rizvanolli, është gjetur i varur brenda një lokali të braktisur në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës. Dyshohet se ai ishte i zhytur në borxhe.

Ditë më parë lajmi që tronditi Kosovën ishte vdekja e Art Kurtit, i njohur si aktor ndërsa së fundmi punonte në kabinetin e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjinit. Organet e hetuesisë kosovare këtë rast e kanë cilësuar si vetëvrasje. Ende nuk janë qartësuar motivet që e shtyjtën Artin të bënte vetëvrasje por dyshohet se kishte telashe me borxhe dhe me depresionin.

Më 17 janar të këtij viti, Kolë Marku, 45-vjeçar, nga fshati Dol i Gjakovës, vrau veten duke pirë acid. Ai u gjet i vdekur mbi varrin e babait të tij, i cili kishte ndërruar jetë vite më parë. I ndjeri ishte i martuar dhe la pas 3 fëmijë. Më i madhi 15 vjeç.

Më 9 mars të këtij viti, një person i moshës 45-vjeçare, dyshohet se ishte vetëvrarë në Gjakovë. Ngjarja kishte ndodhur në Rrugën “Bajram Curri”, motivet nuk u bën të ditura për publikun.

“Viktima është dërguar pa shenja jete në Spitalin ‘Isa Grezda’ në Gjakovë. Dyshimet e para janë për vetëvrasje”, kishte konfirmuar policia.

F. Syla, 41-vjeçar nga Gjakova u zhduk për dy ditë. Por, ditën e dytë,më 23 prill, u gjet i vdekur në katin e shtëpisë së tij ku jetonte. Ai dyshohet se u vetëvra me një kabllo elektrike.

Express ka tentuar të marrë një koment nga kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, lidhur me dukurinë e vetëvrasjeve në komunën që ai udhëheq por ai tha se nuk mund të komentojë për këtë çështje.

“Nuk mund të komentoj vetëvrasjet, është edhe gjynah për familjarët”, tha Gjini.

Sidoqoftë, statistikat e policisë tregojnë se viti që ka pasur më së shumti vetëvrasje në tërë Kosovën është 2014-ta, me gjithsej 77.

Për këtë akt, Psikologia Brikena Krasniqi nuk e fajëson vetëm depresionin dhe shkaqet tjera por edhe mekanizmat jo funksional që janë në Kosovë.

“Duke pasur parasysh sistemin shëndetësor jo funksional dhe posaçërisht mos organizimi i shërbimeve të shëndetit mendor në vendin tonë, shumë njerëz që kanë vështirësi apo çrregullime mendore dhe emocionale, nuk diagnostikohen dhe nuk marrin ndihmën e duhur. Këtu duhet shtuar edhe stigmën ose turpin qe ka shoqëria jonë, që edhe pse kanë nevojë, njerëzit i shmangën vizitave te psikologu ose psikiatri. Kjo është njëra nga arsyet e shumta, që mund të shtoj numrin e vetvrasjeve në vendin tonë, thotë për Express, Krasniqi.

Krasniqi, konsideron se personat që kryejnë vetëvrasje nuk e bëjnë sepse e dëshirojnë një gjë të tillë, por sepse dhimbja që ndjejnë dhe jeta për ta është padurueshme.

“Ose në anën tjetër këta persona nuk ndjenjë asgjë dhe janë topitur nga aspekti emocional (që mund të jetë për shumë arsye) prandaj nuk gjejnë më kënaqësi nga jeta. Prandaj nuk duhet asnjëherë t’i gjykojmë personat që kanë bërë tentim për vetëvrasje ose edhe ata që kanë kryer vetëvrasje, por është shumë e rëndësishme që për ata që kanë bërë tentim veëvrasje,të përpiqeni të ofroni mirëkuptim, afërsi dhe mbështjetje për personin, dhe të sigurohuni që ai të merr ndihmën profesionale”, përfundon Krasniqi.