Bursa e Nasdaq do të ofrojë informacion në kohë reale për vlerën e Bitcoin dhe Ethereum

E publikuar: 14/02/2019 20:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bursa e Nasdaq filloi të ofronte informacion në kohë reale për dy tregues të rinj për tregun e kriptomonedhave, bitcoin core dhe ethereum.

Të dy treguesit do të përfshihen në indekset ekzistuese të platformës duke filluar nga data 25 Shkurt.

Bitcoin Liquid Index(BLX) dhe Ethereum Liquid Index(ELX) do të ofrojnë informacion në kohë reale për 1 BTC dhe 1 ETH në dollarë Amerikanë.

Indekset BLX dhe ELX do të marrin të dhënat nga disa bursa për të ofruar një çmim të vetëm për BTC dhe ETH. Nasdaq thotë se metodologjia është verifikuar nga auditorë të pavarur.

BLX është një prej treguesve më të përdorur të BTC dhe llogaritet që nga 2010-ta. Në rastin e ELX llogaritjen kanë filluar që nga 2014.

Lëvizja e fundit e Nasdaq shihet si një përpjekje për të prezantuar kriptomonedhat me stoqet tradicionale në Wall Street dhe kudo-tjetër duke nxitur kështu adoptimin.

Bursa ka mbajtur qëndrim aprovues ndaj kriptomonedhave që me publikimin e raporteve analitike ndaj Bitcoin deri tek bashkëpunimi me Vaneck për të lançuar kontratat futures të BTC.

Dy treguesit e rinj i bashkohen dhjetrave në Nasdaq. Shërbimi ofrohet në kohë reale.

Nasdaq është bursa e dytë më e madhe në botë pas Bursës së Nju Jorkut. Ajo ka 3,400 kompani të listuara në bursë me vlerë total prej 10 trilionë dollarësh.

Adoptimi nga bursa do të rrisë pranimin e monedhës tek investitorët institucionalë dhe si rezultat edhe tek masat. /PCWorld Albanian