Bursa e Londrës mbyllet me 12% fitim

E publikuar: 01/01/2020 21:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tregjet financiare të botës duket se i kapërcyen tensionet tregtare SHBA-Kinë dhe paqartësinë e Brexitit për të shënuar ngritje të konsiderueshme në 2019.

Bursa e Londrës u mbyll mbrëmjen e vitit të ri me 12 përqind fitim ndërsa disa bursa të mëdha evropiane dhe aziatike panë rritje akoma më të mëdha në 2019, dhe indekset kryesore amerikane po ashtu ishin në rrugë të mbarë. Dhe e gjithë kjo, ishte një kthesë e mirëpritur pas 2018-ës, vit në të cilin shumë tregje globale financiare regjistruan performancën më të keqe të tyre në një dekadë.

Ndërsa viti po mbyllej pati sinjale se përplasja tregtare mes ShBA dhe kinës do të zbutej. Presidenti amerikan Donald Trump tha se ai do të nënshkruante një marrëveshje dypalëshe gjithëpërfshirëse me kinën që do të evitonte raundin e ri të tarifave më 15 janar. Indeksi Dow Jones u rrit me 20 për qind gjatë 2019 ndërsa ai S&P dhe Nasdaq patën një performancë akoma më të mirë, me rreth 30 përqind.

Edhe indekset kineze shënuan rritje ndërkohë që në anën tjetër, ekonomia evropiane kaloi një vit të përzierë. Sidoqoftë, u prit mirë në nëntor lajmi që ekonomia më e madhe e eurozonës, Gjermania, kishte evituar recesionin. Dhe indeksi i Frankfurtit Dax shënoi 25 për qind rritje gjatë 2019-ës.

Ndërsa në Britaninë e Madhe, fitorja në zgjedhje e kryeministrit Boris Johnson, në dhjetor, konfirmoi se vendi do të dalë nga BE më 31 janar. Sidoqoftë, shqetësimet vazhdojnë të jenë të pranishme në lidhje me negocimin afatgjatë të marrëveshjes. Indeksi FTSE 100 sidoqoftë regjistroi fitimet më të mëdha vjetore që nga 2016, ndërsa FTSE 250 që konsiderohet se reflekton më mirë ekonominë britanike, u rrit me 25 për qind gjatë 2019, në performancën më të mirë të tij që nga 2013.