Beogradi në alarm, aksionin në veri e quan përndjekje të serbëve e largim nga dialogu

E publikuar: 28/05/2019 20:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

28 May 2019 19:12
Serbia ka urdhëruar forcat e saj të armatosura të jenë në gatishmëri të plotë, pas aksionit të autoriteteve kosovare në pjesën veriore të vendit.

Ndonëse aksioni i Policisë së Kosovës ishte organizuar kundër grupeve të ndryshme kriminale për kontrabandë, kjo e shqetësoi Beogradin, derisa presidenti serb mblodhi Këshillin kombëtar të Sigurisë, e në mëngjes edhe Kuvendin.

Ai foli në Kuvend rreth, siç tha, përpjekjeve të Kosovës për t’i përndjekur serbët nga aty, derisa paralajmëroi se nuk do të lejojë ‘Stuhi’ të re, duke iu referuar kështu sulmit ndaj serbëve gjatë luftës së të ‘90.

“Jemi të vetëdijshëm për të gjitha pasojat e rënda dhe për gjithçka çfarë po ndodh, andaj do të vazhdojmë të punojmë në ruajtjen e paqes. Por, kur e shihni që dikush do t’ua shkatërrojë dhe t’ua ndjek popullin, këtë e kam thënë edhe më herët, se ne nuk do të lejojmë ‘Stuhinë’ e re në çfarëdo pjesë ku ka serbë, s’do ta bëjmë. Të gjitha njësitet tona speciale janë në gatishmëri të plotë dhe nga askush nuk do të fshehim asgjë”, ka thënë Vuçiq.

Hiç më larg se një ditë më parë, gjatë një debati parlamentar në Kuvendin serb, presidenti kishte thënë se Beogradi e ka humbur kontrollin ndaj Kosovës, por paralajmëroi se do të reagojë nëse serbët sulmohen.

Ai paralajmëroi edhe përfaqësuesit e BE-së se Serbia do të reagojë nëse Policia nuk do të tërhiqej nga veriu. Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se tashmë përfaqësuesit ndërkombëtarë ishin informuar për situatën.

E nga Bratislava, ministri i Jashtëm serb komentoi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se ngjarja do të ndikojë në dinamikën e negociatave.

“Incidente të këtilla na largojnë nga dialogu. Serbia, e përsëris do dialog, që ai të shërbejë të gjejmë zgjidhje të kompromisit e të bëjmë diçka të mirë për popujt tonë. Por 6 vjet kaluan nga marrëveshja e Brukselit, e megjithatë kemi incidente të reja që mbulojnë gjurmët e moszbatimit të marrëveshjes”, ka thënë Daçiqi.

Në krah të serbëve gjatë ditës ishte rreshtuar Rusia, derisa Ministria e Jashtme ruse tha se kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që t’i mbushë mend forcat radikale shqiptare dhe të parandalojë eskalimin e situatës.

Rusia reagoi pasi që në mesin e të arrestuarve në veri ishte edhe Mikhail Krasnoschenkov, punëtor i UNMIK-ut, i cili megjithatë u lirua gjatë ditës.

Ndërkaq, Kuvendi serb, ka vazhduar edhe gjatë së martës debatin e nisur një ditë më parë rreth situatës në Kosovë.