Baton Haxhiu: O shtet, o dorëheqje

E publikuar: 17/11/2015 17:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nuk na duhen pushtetarë. Na duhen shtetarë. Nuk na duhen pushtete të vegjëlish, na duhet shtet që përfaqësohet nga ata që e dinë çfarë është shteti.
Jemi lodhur nga këta njerëz të papërgjegjshëm.

Të kotë.

Arrogantë.

Të paaftë për të bërë shtet.

Është hera e dytë që në një bufe Parlamenti i Kosovës bashkohet në numra – por jo në përmbajtje dhe argumente.

Kuvendi bashkohet në “fisnikërinë” konjukturale, por jo në identitet shtetëror. Në përkrahje të paradokseve, duke mos hequr dorë nga e drejta e më të fortit të tredhur.

E saktë në fjali ishte vetëm Melihate Tërmkolli.

Qeveria (Isa Mustafa, Hashim Thaçi, bashkë me Ministrat e Drejtësisë dhe Rendit, si dhe me Prokurorin dhe Shefin e Policisë – këtu hyn edhe Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli), dhe Kuvendi, duke argumentuar dhe mbrojtur padinjitetshëm një situatë dhe një institucion nga perspektiva e viktimës, po mundohen ta perceptojnë veten në rolin e dyshimtë të fituesit momental, duke dalë në konferenca për shtyp për të mbrojtur diçka dhe asgjë njëkohësisht.

Nuk bëhet fjalë vetëm për reagim poshtërimin ndaj qytetarëve, por edhe për poshtërimin që ata iu bëjnë fakteve – duke marrë anë në mënyrë jodinjitoze per shtetin dhe institucionet që i përfaqësojnë.

Pushtetin e tanishëm e kam lexuar me shumë kujdes. Shpesh qëndrimet e tyre kanë qenë të ekzagjeruara, por gjuha e përdorur linte të kuptohej për një lloj tolerance të pakuptimtë e antishtetërore dhe selektive për individë, si dhe kërcënuese për disa tjerë.

Kur them se sot ekziston një përpjekje e Isa Mustafës, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit që Pushteti të jetë autoriteti moralist në Kosovë, atëherë kjo ka të bëjë me simulimet që ata krijojnë në raport me të vërtetën. Por, kur ata provojnë t’i ndihmojnë dikujt, apo ta ndërtojnë një situatë përkrahëse, kjo duket më shumë si një sharje melankolike sesa një qëndrim bindës për atë që përfaqësojnë.

Ata përfaqësojnë shtetin, por sillen si OJQ.

Të vegjël dhe të paartikuluar m’u dukën këto javë. Edhe ata që kishin shkruar një reagim -deklaratë, krejtësisht të paqartë, në emër të askujt.

Kjo barazi e prezantuar në deklarata për shtyp i bën lojtarë të vegjël në pushtet. Ata janë tolerantë kinse bëjnë mbrojtjen e fjalës së lirë.

Këta pushtetarë, si individë, duket se gjejnë ngrohtësi dhe siguri brenda vetes.

Frika e tyre prej shpërbërjes së mundshme i bën që të jenë individë e jo shtet.

Nëse shkruajnë si individë, i bën që të nënshkruajnë dhe të ndjekin një synim çfarëdo. Pa krye.

Prandaj, kjo masë nënshkruesish të deklaratave mund të qëndrojë dhe ekzistojë si e tillë për aq kohë sa ka një synim të pashtet.

Këta shtetas nuk kanë nevojë të shtiren me një barazi të përkohshme dhe kënaqen në lëkurën e përkohshme të shtirjes. Kur s’kanë fuqi individuale të përfaqësimit të shtetit dhe debatit, grumbullohen pas deklaratave që nuk dallojnë nga komunikatat partiake.

Dhe, natyrisht, ata e kanë kuptuar mirë rolin e viktimës në shoqëri.

Këta liderë që janë në shtet – dhe nuk përfaqësojnë shtetin – kanë menduar se mund të shkruajnë dhe deklarojnë çkado dhe pastaj të shtiren si heronj të keqkuptuar. Ose, kur të reagohet në fjalitë e tyre që shpeshherë janë krijesë e dëshirave ose prodhim i fantazisë së tyre të ndezur, të shndërrohen në martirë të përndjekur nga opozita e papërgjegjshme dhe e dhunshme.

Më tepër besoj se është një lloj reagimi i njerëzve të hutuar.

Është për të ardhur keq që në kohën kur po ndërtojnë institucione të shtetit të Kosovës ata kanë marrë rrezikun që të damkosen si shpifës dhe njerëz që japin tablo të shtrembëruara për problemet që i trajtojnë. Pra, njerëz që nuk e dinë se çfarë përfaqëson shteti.

Pa argumentuar detajisht në analizë, mendoj se këto institucione, pavarësisht nga ndikimi momental që mund ta kenë, nuk po i respektojnë përkrahësit e vet, nuk i respektojnë as kolegët e vet, dhe as dëshirën e kosovarëve për shtet normal në një shoqëri demokratike.

Dua të shtoj edhe diçka për Isën, Hashimin, Kadriun, Hajredinin dhe Skënderin, bashkë me Shpendin, shefin e policisë – nënshkruesit e reagimeve, të cilët përfundojnë deklaratën e tyre me fjalën “Kërkojmë”.

Iu drejtova me emra sepse më mënyrën e sjelljes nuk janë njerëz që përfaqësojnë shtetin e Kosovës dhe rregullat demokratike.

Liria për të shkruar dhe për të thënë fjali në konferenca shtypi dhe në disa media nuk e plotësojnë kriterin themelor – ushtrimin e përgjegjësisë së profesionalizmit dhe ndërgjegjes për shtetin e Kosovës.

Megjithatë, të nënshkruarve një nga një dhe në grup, u them shkurt dhe miqësisht: në Kosovë me liri të të nënshkruarit nënkuptohet edhe që njerëzit të jenë të lirë të shkruajnë dhe të transmetojnë informacione të kota – të palogjikshme, të ulëta, të padinjitetshme, të rrezikshme dhe acaruese, të cilave nuk u besojnë as vet. Kjo quhet papërgjegjësi ndaj shtetit që (nuk) e “udhëheqin”.

Unë po ndeshem me këtë pjesën e fundit – papërgjegjësinë ndaj shtetit, ku njerëzit janë të lirë të vendosin qëndrime me lehtësinë e padurueshme.

Të sugjeruarit se ç’duhet bërë përbën një lloj arrogance. Madje, ndonjëherë është edhe paedukatë. Besoj se të gjithë të apostrofuarit, ose nuk e dinë çfarë ka ndodhur për këto javë, ose e kanë përkrahur miqësisht vetveten, por jo shtetin e Kosovës, duke u shndërruar në atë masën e zakonshme ku të gjithë dëshirojnë të jenë të barabartë. Pra, të kotë.

Ata duhet të kenë guxim t`i përballojnë vetë betejat publike, jo të bëjnë konferenca shtypi, duke mbrojtur asgjë në përmbajtje. Problemi nuk është te Opozita. Problemi është në një koncept rrënues, që është ndërtuar nga ata për faktin se seleksionojnë situata dhe njerëz.

S’dua të flas për opozitën, sepse ajo e ka dorën e vet. Por, pse qenkan të veçantë Rexhep Selimi, Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj, e na qenkan për poshtërim Albin Kurti (me dhjetëra herë i sakatuar), Donika Kadaj, Albulena Haxhiu.

Nëse bëni shtet, atëherë urdhëroni, e keni shumicën. Nëse nuk bëni, shkoni në zgjedhje se nuk jeni për këtë punë.

Ne po shikojmë më dhjetëra herë show televiziv nga një grup i papërgjegjshëm. Të paaftë dhe, besoj, tashmë, të papërfaqësuar nga qytetarët për mënyrën se si po veprojnë.

Për ne që i shikojmë gjërat me vuajtje, i drejtohem Qeverisë: O hyni në bisedime. o lironi rrugë, o mbroni shtetin.

P.S.

Një vërejtje miqësore Aleksandër Lumezit dhe Shpend Maxhunit: Shteti dhe e drejta mbahen esencialisht nga kryeprokurori që ka bole për ta ruajtur shtetin dhe të drejtën. Nëse jeni si këta pushtetarët e tashëm – lirojeni rrugën. Ne, qytetarët nuk mund të vuajmë për mungesë guximi.