Bajrami: Thaçi s’e ka hallin te liberalizimi i vizave, i tutet rishikimit të Demarkacionit

E publikuar: 27/03/2017 23:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefja e Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, ka ripërsëritur qëndrimin e partisë kundër ratifikimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duke e quajtur si një produkt i marrëveshjes së fshehtë të Presidentit Hashim Thaçi.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Bajrami ka vlerësuar se Thaçi nuk e ka hallin te liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, por te frika se ai e ka nënshkruar një marrëveshje nëpërmjet së cilës, siç ka thënë ajo, Malit të Zi i jepet një pjesë e territorit të Kosovës.

Ky është shkrimi i plotë i Bajramit në rrjetin social:

Kur z.Thaçi kërkon ratifikimin e versionit aktual të marrëveshjes për shënimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, të cilën e ka nënshkruar ai vet, jemi të bindur se nuk e ka hallin te liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës por te frika se çdo rishikim i kësaj marrëveshje pa asnjë dyshim do ta vërtetojë faktin se ai e ka nënshkruar një marrëveshje përmes së cilës Malit të Zi i jepet një pjesë e territorit të Kosovës.

Kjo është arsyeja e vetme e z.Thaçi pse ai insiston në ratifikimin e këtij versioni të marrëveshjes.

Prandaj, sa herë që ai kërkon ratifikimin e këtij versioni të marrëveshjes aq më shumë na forcohet bindja se kjo marrëveshje është e dëmshme dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ratifikohet.

Përmes MOS ratifikimit të versionit të Thaçit Kosova fiton dyfish: shpëton territor dhe njëkohësisht heq qafe politikanët që kanë bërë pazar për interesa personale në kurriz të tërësisë territoriale të vendit!