Bahtiri akuzon nipin e Kadri Veselit se tentoi ta pengojë në hapjen e një shkolle në Mitrovicë

E publikuar: 02/09/2019 14:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka akuzuar djalin e vëllait të Kadri Veselit, Hylmi Veseli, se ka tentuar dhunshëm ta pengojë në hapjen e shkollës “Ismail Qemali” në Mitrovicë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se veprimet banditeskte të këtij grupi të vogël të udhëhequr nga nipi i Kadri Veselit, u kundërshtuan fuqishëm nga prindërit e fëmijëve, të cilët në vend se ditën e parë ta prisnin me gëzim, u traumatizuan nga këtë bandit.

“Një grup i militantëve të PDK-së që është udhëhequr nga Hylmi Veseli, djali i vëllait të Kadri Veselit, kanë tentuar në mënyrë të dhunshme të më pengojnë në hapjen e shkollës, por që nuk i’a kanë arritur. Veselët nuk mund të më ndalin dot, ashtu siç nuk kanë mundur asnjëherë”, ka shkruar ai.

Bahtiri thotë se PDK-ja e ka përjetuar rëndë aderimin e tij dhe degës së AKR-së në Lëvizjen Vetëvendosje, por sipas tij, askush në botë nuk mund t’ia diktoj punën e tij dhe ta frikësoj.

“Unë do ta vazhdoj rrugën time, pa pavarësisht sfidave që më dalin. Uraganin e fitores së 6 tetorit dhe bërjen e Albin Kurtit kryeministër nuk mund ta ndalë askush, sepse qytetarët e kanë kuptuar se vetëm ai mund ta ndalë krimin dhe korrupsionin”, ka shkruar ai.