Avioni bën prapakthehu, u “godit” nga lazeri. Pilotit i dëmtohet retina e syrit

E publikuar: 15/02/2016 19:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Avioni bën prapakthehu, u “godit” nga lazeri. Pilotit i dëmtohet retina e syrit Një avion i “Virgin Atlantic”, në fluturim nga Londra drejt Nju Jorkut, është detyruar të kthehet mbrapsht në kryeqytetin britanik, vetëm pak pas ngritjes në ajër. Shkak është bërë një sulm me lazer nga toka.

Shënjestra e goditjes ka qenë kabina e pilotit. Njëri prej drejtuesve të mjetit mbeti i trullosur dhe, nga fasha e fuqishme e dritës, ka pësuar dëmtim të retinës së syrit. Kapiteni vendosi rikthimin e menjëhershëm në Aeroportin e “Heathrow”-t, si masë paraprake.

“Airbusi A340” kishte 252 pasagjerë dhe 15 anëtarë ekuipazhi në bord. Incidente të tilla, sipas ekspertëve britanikë të Aviacionit, po vijnë gjithmonë e më shumë në rritje, ndërsa pajisjet e përdorura janë aq të fuqishme, sa mund të verbojnë viktimat e tyre.

Një hetim ka nisur mbi ngjarjen, e nëse autori gjendet, ai për veprimin e bërë mund të rrezikojë burgun.

Ndërkohë, për këtë incident ka reaguar edhe Shoqata e pilotëve të linjave ajrore britanike, BAPL, që kërkojnë urgjentisht klasifikimin e lazerave si “armë sulmuese” dhe të ndalohet përdorimi i tyre në Britani. Sipas sindikatës së tyre, lazerat janë “tmerrësisht të rrezikshme”.

/ Top Channel