Apostolova: Duam të shohim persona që përfundojnë në burg për shkak të korrupsionit

E publikuar: 17/10/2017 12:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalya Apostolova u takua me përfaqësues të grupit parlamentar të Lidhje Demokratike të Kosovës, ku temë diskutimi ishin vazhdimi i zbatimit të reformave të agjendës evropiane, çështja e liberalizimit të vizave, luftimi i korrupsionit si dhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Apostolova  në këtë takim shprehu  pakënaqësinë e saj me punën e Kuvendit të Kosovës, i cili sipas saj, të vetmen gjë që ka bërë deri më tani është krijimi i këtyre komisioneve. Ndërsa sa i përket kritereve për  liberalizimin e vizave Apostolova tha se kjo çështje është politizuar dhe duhet bërë më shumë në luftimin e krimit e korrupsionit, pasi BE pret që proceset gjyqësore për luftimin e korrupsionit të përfundojnë me aktgjykime.

“Askush nuk ka thënë se kriteri është finalizuar. Me punë  që do e bëni në plotësimin e këtyre kritereve ne do të marrim dhe do të paraqesim te shtetet anëtare. Ky proces duhet të plotësohet dhe nuk duam të fajësojmë askënd. Ne duam të shohim proceset të shkojnë në fund, duam të shohim persona që përfundojnë në burg për shkak të korrupsionit dhe pjesëmarrjes në krim të organizuar”, tha Apostolova.

Ndërsa shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se edhe pse janë opozitë në Kuvend, ata nuk do të bëjnë opozitë siç ka bërë Vetëvendosje, pasi që ata do të jenë bashkëpunues në proceset e rëndësishme për Kosovën. Ndërsa  sa i përket dialogut me Serbinë,  Hoti tha se e mbështesin këtë proces, por jo krijimin e një grupi të uniteti

“Ashtu siç ju e dini, ju keni një partner këtu, partnerin kryesor të besueshëm këtu në Kosovë, në Parlament. Ne jemi një parti opozitare, por ne nuk jemi Vetëvendosje…. Sa i përket formatit të ri të dialogut ne ende nuk kemi parë një strukturë të qartë nga Qeveria, ne do të jemi shumë transparent në këtë aspekt. Por në princip nuk do të mbështesim ndonjë formë të Grupit të Unitetit, ne e lëmë përgjegjës Qeverinë për dialog, po me një përfshirje të plotë edhe të Kuvendit”, tha ai.

Ndërsa Vjosa Osmani  tha edhe ata janë të shqetësuar  në lidhje me Kuvendin,  i cili nuk po punon në kapacitetet e tij të plota. Duke folur për punën e Komisionit të Punëve të  Jashtme të cilën ajo e udhëheq tha se do ta ftojnë ministrin e Jashtëm dhe atë të Integrimeve Evropiane, për të diskutuar lidhur me strategjinë e Qeverisë sa i përket Demarkacionit.  Ndërsa tha se janë të shqetësuar lidhur me deklaratat kontradiktore nga zyrtarë qeveritarë, lidhur me këtë çështje.

“Ne po planifikojmë të ftojmë si ministrin e Punëve të Jashtme, ashtu edhe ministrin e Integrimit Evropian për të diskutuar strategjinë e Qeverisë së Kosovës,  në lidhje me marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit. Ne jemi të shqetësuar se deklarata kontradiktore po bëhen nga ministra të ndryshëm në Qeveri,  duke përfshirë kryeministrin dhe presidentin. Ne dëgjojmë ide të ndryshme, qasje të ndryshme dhe mendoj se nuk është aspak serioze për një çështje serioze. Prioritet i komisionit tonë është që të sigurohemi që ne t’i bëjmë presion atyre, që ta zgjidhin këtë çështje sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse sa më shpejt që ta bëjnë këtë, aq më shpejt do të marrim liberalizimin e vizave”, tha  Osmani.

Ndryshe, javën e kaluar shefja e BE-së, Apostolova, takoi grupin parlamentar të PDK-së dhe VV-së. Ndërsa pasdite takon edhe grupin parlamentar të AAK-së.