AKEP miraton shitjen e Telekom Albania

E publikuar: 26/03/2019 22:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka dhënë miratimin paraprak për kryerjen e transaksionit të pritshëm për shitjen e aksioneve të sipërmarrësit “Telekom Albania sh.a.”.

AKEP thotë se është vënë në dijeni zyrtarisht mbi lidhjen e Marrëveshjes së Shit-blerjes të datës 16.01.2019, të aksioneve të shoqërisë “Telekom Albania sh.a.”, një shoqëri e  cila ushtron veprimtari sipas legjislacionit shqiptar, transaksion i cili ka për synim transferimin e të gjitha aksioneve të zotëruara nga shoqëria “Cosmote Mobile  Telecommunications S.A.” (99.757%) , një shoqërie e themeluar dhe e regjistruar në shtetin Grek, tek shoqëria “Albania Telecom Invest AD”, një shoqëri e themeluar dhe e regjistruar në shtetin Bullgar.

Konkretisht, kriteret kryesore për të cilat investohet AKEP përgjatë vlerësimit dhe zhvillimit të një procedure të miratimit paraprak të kalimit të aksioneve nga një shoqëri në një tjetër, është verifikimi nëse shoqëria blerëse apo aksionerët e saj, zotërojnë aksione ose kanë pjesëmarrje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në shoqëri të tjera që ushtrojnë aktivitet të njëjtë në Shqipëri, si dhe vlerësimi nëse një transaksion i mundshëm do të sillte apo jo shkelje të kushteve të Autorizimive Individuale.

Nga verifikimi rezulton se as shoqëria blerëse “Albania Telecom Invest” AD, si dhe as aksioneret e saj nuk zotërojnë aksione apo të jenë pjesëmarrës në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në shoqëri të tjera të cilat ushtrojnë aktivitet në fushën e telefonisë së lëvizshme në Republikën e Shqipërisë.

Për këtë arsye, AKEP ka vendosur të japë miratimin paraprak të kryerjes së transaksionit të pritshëm për shitjen e aksioneve të sipërmarrësit “Telekom Albania sh.a.”, të zotëruara nga shoqëria “Cosmote Mobile Telecommunications S.A” tek shoqëria “Albania Telecom InvestAD”.

Shitja

Grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom – dhe zotëron 99.79% të aksioneve të Telekom Albania – njoftoi zyrtarisht nw 23 janar se “OTE ka hyrë në një marrëveshje për të shitur kuotën e saj të plotë në Telekom Albania Sh.A. (Telekom Albania) te kompania bullgare Albania Telecom Invest AD për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. Albania Telecom Invest AD kontrollohet nga z. Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare Vivacom, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor bullgaro-shqiptar”.

Telekom Albania kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, ndërsa raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (më se gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar. Humbjet erdhën pas një periudhe të artë, kur OTE, që bleu Telekom Albania (ish-AMC) për 80 milionë euro në vitin 2000, shënonte fitime mjaft të larta.

Rekordi është arritur në vitin 2008, me fitime para taksave që ishin rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008-s, fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017.

Aksionerët e rinj

Albania Telecom Invest AD është krijuar më 21 nëntor 2018 me kapital aksioner prej 50 mijë BGN (leva bullgare), rreth 25 mijë euro. Dy janë aksionerët e saj: Spas Dimitrov Rusev me 51% të aksioneve dhe Elvin Vehip Guri me 49% të aksioneve, sipas të dhënave zyrtare nga Regjistri Bullgar i Tregtisë, të dhënat e të cilit u mundësuan për “Monitor” nga “SEE News”, njësia inteligjente bullgare për lajme biznesi e kërkime tregu për Europën Juglindore.

Spas Dimitrov Rusev është një sipërmarrës bullgar, i cili në vitin 2016 ishte në krye të konsorciumit që mori kontrollin e operatorit kryesor bullgar të telefonisë celulare Vivacom (të regjistruar si Kompania Bullgare e Telekomunikacionit, BTC) nga VTB Capital (krahu i bankingut investues i ruses VTB) dhe ka rolin e partnerit strategjik edhe tek Albania Telecom Invest AD, përmes njohurive në fushën e telekomunikacionit.

Elvin Guri, një sipërmarrës bullgar me origjinë nga Shqipëria, i cili u largua për në Bullgari në vitin 1992 për të ndjekur studimet në Universitetin Amerikan të Bullgarisë, e nisi aktivitetin me institucionin jo bankar financiar JetFinance, të cilin ia shiti më pas grupit francez BNP Paribas. Përpara se të bëhej sipërmarrës, Guri punoi për PricewaterhouseCoopers dhe BERZH në Sofje dhe Londër.

Aktualisht në Bullgari, Elvin Guri është aksioner 100% i fondit bullgar River Styxx Capital EAD, të krijuar në vitin 2008 dhe që ka një kapital themeltar prej 71,429 BGN (rreth 36.5 mijë euro). River Styxx Capital raportoi të ardhura prej rreth 417 mijë eurosh në 2017-n dhe humbje prej rreth 530 mijë eurosh. 2015-a ishte më i miri i tre viteve të fundit, teksa të ardhurat ishin rreth 1.15 milionë euro dhe fitimet 382 mijë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Regjistri Bullgar i Tregtisë.

Në Shqipëri, River Styxx Capital hyri në vitin 2011, përmes blerjes së 19.72% të aksioneve të shoqërisë që vepronte në fushën e mikrofinancës, Final, duke e rritur gradualisht zotërimin deri në 38.11 % (aksionerë të tjerë të Final ishin Balfin me 38.4% dhe disa individë).

Në gusht 2018, River Styxx Capital e shiti gjithë kuotën që zotëronte në Final, së bashku me aksionerët e tij, tek shoqëria e mikrofinancës, IuteCredit, që tashmë zotëron 100% të Final. /Monitor