Di Maria, prioritet i merkatos së Bayernit

E publikuar: 10/05/2015 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bayerni i Mynihut po monitoron me vëmendje situatën e Angel Di Marias te Manchester United pas zërave se për ofertën e duhur, Djajtë e Kuq mund të lejojnë largimin e argjentinasit. 27-vjeçari u transferua një vit më parë në Old Trafford nga Reali i Madridit për gati 60 milionë Paund, por aventura në Angli deri tani nuk ka qënë ajo që priste. Për Di Marian, gjatë kësaj kohe ka shfaqur interes edhe Paris Saint Germain. Në të vërtetë parizienët e kërkuan edhe vjet, por u mundën në garë nga United, ndërsa tani duhet të mposhtin bavarezët për ta çuar argjentinasin në Parc de Princes. Me transferimin e konfirmuar të Memphis Depay nga PSV Eindhoven, Manchester United nuk do ta kishte problem largimin e Di Marias. Ndërkohë Bayerni nuk ka ndërmend ta lëshojë dorën dhe ka përgatitur kështu një ofertë që mund t’i kënaqë të gjitha palët. Bëhet fjalë për përfshirjen e kartonit të Schweinsteiger, i cili njëherë është shprehur se do t’i pëlqente të luante në Premier League dhe ky mund të jetë momenti i duhur. Fakti që mesfushori gjerman ka punuar edhe më parë me Van Gaal mund t’i bëjë edhe më të thjeshta gjërat për një fund ku të gjithë do të ishin të lumtur./supersport.al/