5 të infektuarit me Covid-19 në Drenas, virusin e morën nga Kazerma “Adem Jashari”

E publikuar: 18/06/2020 10:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vetëm në Komunën e Drenasit, 5 raste të reja kanë rezultuar mbrëmë pozitive me Coronavirus, raporton Front Online.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), njoftoi mbrëmë që të 5 rastet janë me vendbanim në qytet.

Udhëheqës i Zyrës për Komunikim me Publikun në këtë komunë, Bekim Dobra, ka konfirmuar për Front Online, që të 5 rastet, burim të infeksionit e kanë pasur Kazermën e FSK-së “Adem Jashari”.

“Deri më tani kemi 8 raste me COVID-19. Për 5 të infektuarit që kanë rezultuar mbrëmë më covid-19 (17.06.2020), burim është kontakti në Kazermën e FSK-së “Adem Jashari’”, ka bërë të ditur Dobra për Front Online.

Në Komunën e Drenasit, aktualisht janë 8 raste aktive me Coronavirus, teksa nga komuna nuk kanë informacione nëse janë marrë mostra të reja për testim.

“Në Komunën e Drenasit kemi 8 raste aktive me Covid-19, të konfirmuara. Kjo është kompetencë e IKSHPK-së sepse ata janë të obliguar t’i ndjekin edhe kontaktet e burimit të infeksionit”, ka thënë ndër të tjera Dobra.

Në ndërkohë dje nga IKSHPK-ja, janë konfirmuar edhe 77 raste të reja me Coronavirus. Në të njëjtën kohë nga IKSHPK-ja është bërë e ditur, se që nga data 08 shkurt deri më 17 qershor 2020, në
Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 19.749 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive kanë rezultuar gjithsej 1.833 raste, me gjithsej 34 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Kurse numri i të shëruarve nga Coronavirusi në vend ka shkuar në 968./Front Online