2 gardianët humbën jetën dje në aksident, policia arreston 2 persona

E publikuar: 20/10/2016 10:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas aksidentit të djeshëm në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, ku humbën jetën dy persona, Policia ka njoftuar sot arrestimin e dy shtetasve.

Në vijim të informacionit paraprak të datës 19.10.2016, i cili bën fjalë për një aksident rrugor ndodhur pranë kryqëzimit të fshatit Plasë, ju bëjmë me dije se:

Specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve N.A, 54 vjeç, banues në Pogradec dhe Neki Taipi, 22 vjeç, banues në fshatin Dvoran.

Arrestimi i tyre u bë pasi, dje në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, duke drejtuar përkatësisht mjetin autoveturë tip “Skoda”, me targë AA 251 FX dhe mjetin furgon tip “Benz”, me targë AA 519 FX, janë përplasur me njëri-tjetrin, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit: F.I, 53 vjeç, banues në Vlorë dhe shtetasi A.B, 54 vjeç, banues në Fushë-Krujë, të dy pasagjerë në mjetin me targa AA 251 FX.

Gjithashtu, kanë pësuar dëmtime fizike drejtuesi i mjetit tip “Skoda” shtetasi N.A. dhe shtetasi L.K, 48 vjeç, banues në Korçë, pasagjer në të njëjtin mjet, të cilët po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në Spitalin Rajonal të Korçës. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale: “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” parashikuar nga neni 290 i Kodit Penal.

Viktimat janë Fatmir Islami dhe Agim Beshi, dy efektivë të burgut të Drenovës, të cilët nuk kanë qenë në shërbim, por ishin duke u kthyer nga një ceremoni mortore e një efektivi, që kishte humbur jetën nga kanceri.