​KEDS-i ndihmon kooperativën “Gratë e Krushës”

E publikuar: 10/12/2020 15:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) ka ndihmuar kooperativën “Gratë e Krushës” në Krushë të Madhe përmes një projekti investues me një trafo dhe rrjet nëntokësor që do ta furnizojë vetëm objektin e kësaj kooperative me energji elektrike.

Zyrtari për komunikim në KEDS, Adlum Ramadani ka thënë se mbështetja për kooperativën “Gratë e Krushës” bëhet me qëllim që t’iu mundësohen të gjitha kapacitetet e nevojshme që ta realizojnë punën e tyre.

Ramadani: Gratë e Krushës janë mbështetur nga KEDS përmes një projekti investues

“Jemi këtu në Krushë të Madhe, ku kemi vizituar edhe kooperativën bujqësore “Gratë e Krushës”, e cila është mbështetur së fundmi nga KEDS, përmes një projekti investues, më konkretisht me një trafo 250 kilovat dhe gjithashtu me të gjitha elementet përcjellëse dhe me rrjet nëntokësorë, në mënyrë që të njëjtave t’u mundësohen të gjitha kapacitetet e nevojshme”, ka thënë Ramadani.

Ai ka thënë se përmes këtij investimi KEDS-i synon t’iu sigurojë investim të qëndrueshëm dhe kualitativ për operimet e tyre ditore, në mënyrë që të mos ketë sfida me energji elektrike.

Ramadani: KEDS mbështet gratë e Krushës

“KEDS ka mbështetur gratë e Krushës, më konkretisht kooperativën bujqësore përmes këtij investimi në mënyrë që të njëjtave t’iu sigurohet investim i qëndrueshëm dhe kualitativ me energji për operimet e tyre ditore, në mënyrë që të njëjtat të mos kenë sfida në të ardhmen me energji elektrike”, ka thënë Ramadani.

Ndërsa drejtoresha e kooperativës “Gratë e Krushës”, Fahrie Hoti ka thënë se falë ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë dhe KEDS-it është bërë e mundur që të investohet një trafo që ka të bëjë vetëm me kooperativën dhe punën e saj.

Hoti: Na ka ndihmuar si donacion një trafo

“Ne kemi pasur fatin që ta kalojmë një projekt nga Bashkimi Evropian, po primare ka qenë rryma në pjesën ku është ndërtuar fabrika, duke e falënderuar KEDS-in, dhe mikun tonë ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Mingjozi, që e kanë bërë të pamundurën, kanë biseduar dhe negociuar me KEDS-in, dhe na ka ndihmuar si donacion një trafo që ka të bëjë vetëm me kooperativën dhe punën e kooperativës”, ka thënë Hoti.

Hoti ka thënë se tani janë në fazën e fundit të punimeve të objektit të ri, dhe në fund të janarit ose në fillim të shkurtit do të dalin në objekt të ri, ku do të bëhen bashkë të gjitha gratë e kësaj kooperative që punojnë nëpër fshatrat e ndryshme.

Hoti: Viti 2021 të na gjejë me infrastrukturë më të mirë

“Ne jemi në fazën e fundit, domethënë sa i përket KEDS-it ka përfunduar çdo gjë, është në rregull. Presim kontraktuesit që t’i rregullojnë edhe disa gjëra të vogla që kanë mbetur dhe shpresojmë që fillimi i shkurtit, apo fundi i janarit ne të jemi me gjithë punëtorët dhe gjithë pajisjet që janë përcjellëse, të kalojmë në objekt të ri, dhe 2021 të na gjejë në objekt, me infrastrukturë më të mirë, me rrymë adekuate, me teknologji më të mirë dhe me cilësi të prodhimit, dhe gjithë ato gra që punojnë në fshat të jemi me një vend dhe të mos jemi në pika të ndryshme”, ka thënë Hoti.

Ramadani ka thënë se KEDS-i mbetet i përkushtuar që përmes projekteve të veta investuese t’u mundësojë siguri bizneseve në furnizim me energji kualitative dhe të qëndrueshëm, në mënyrë që operimet e tyre t’i zhvillojnë pa ndërprerje të energjisë elektrike./Kp/