​Haxhiu: Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me SHBA-në

E publikuar: 10/03/2020 18:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka theksuar se qeveria e zhvillimit dhe e drejtësisë, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, është e vetmja që ka prezantuar një plan për ta hequr tarifën, sipas kërkesave të SHBA-së dhe sipas saj e vetmja kërkesë e qeverisë Kurti është që edhe Serbia t’i ndalë fushatat agresive dhe masat kundër Kosovës.

Në një postim në Facebook ka shkruar se Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me SHBA-në dhe kryeministri do të jetë faktor bashkëpunimi me aleatin tonë strategjik. Ajo ka shtuar se Thaçi dhe PAN-i, vërtet e kanë sjellë Kosovën në situatë të palakmueshme diplomatike.

Postimi i Haxhiut në Facebook:

Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me ShBA, dhe kryeministri ynë do të jetë faktor bashkëpunimi me aleatin tonë strategjik. Por Thaçi dhe PAN vërtet e kanë sjellë Kosovën në situatë të palakmueshme diplomatike.

Këtë tarifën, që gabimisht menduan se ishte taksë, e ka vendosur pikërisht qeveria e PAN-it.

Dialogun e pabarabartë në Bruksel, ku e normalizuan Serbinë dhe ia përmirësuan imazhin, e ka filluar pikërisht Hashim Thaçi. Tash Thaçi ia ka hapur derën Vuçiqit edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe shkëmbimin e territoreve, edhe “zajednicën”, i ka sjellë në tryezë Thaçi, siç u mor vesh edhe nga marrëveshja sekrete që lidhi në 2013.

Ndërsa qeveria e zhvillimit dhe e drejtësisë, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është e vetmja që ka prezantuar një plan për ta hequr tarifën, sipas kërkesave të ShBA-së. E vetmja kërkesë e qeverisë Kurti është që edhe Serbia t’i ndalë fushatat agresive dhe masat kundër Kosovës.

Në vend që të bashkoheshin në mbështetje të kësaj kërkese dhe në mbështetje të Kosovës, Thaçi dhe PAN po e vazhdojnë politikën e njëjtë, duke pranuar se Kosova vlen m ë pak se Serbia, pra duke e forcuar Serbinë.