Zvicra nis hetimin për përdorimin e ‘kabinës së vetëvrasjeve’! Pajisja që po përdoret për t’i dhënë fund jetës me dëshirë

E publikuar: 24/09/2024 22:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Autoritetet zvicerane kanë nisur një hetim penal dhe kanë arrestuar disa persona pas vdekjes së një gruaje amerikane në të ashtuquajturën ‘kabinë vetëvrasëse’.

Sipas raporteve lokale, kabina, e quajtur ‘Sarco Pod’ nga shpikësi i saj, u përdor për herë të parë të hënën pasdite në një pyll afër kufirit gjerman në qytetin zviceran të Merishausen.

Mësohet se gruaja që vdiq ishte me shtetësi amerikane, 64-vjeçe. Zvicra është një nga vendet e pakta në botë ku vetëvrasja e asistuar është e ligjshme, në kushte të caktuara.

Policia në kantonin Schaffhausen, në Zvicrën veriore, konfirmoi arrestimet, ndërsa zyra e prokurorit publik konfirmoi se kishte hapur një hetim për ndihmë dhe nxitje për vetëvrasje. Një zëdhënës tha se po heton gjithashtu nëse janë kryer vepra të tjera penale.

Ministrja e Brendshme e Zvicrës, Élisabeth Baume-Schneider, vuri në dyshim statusin moral dhe ligjor të Sarco Pod, një pajisje që është projektuar për të lejuar një person brenda të shtypë një buton që injekton gaz azot në dhomën e mbyllur. Njeriu më pas supozohet të bjerë në gjumë dhe të vdesë nga mbytja brenda pak minutash.

Një shkencëtar gjerman, Florian Ëillet, mendohet të ketë qenë i vetmi person i pranishëm në vdekjen e gruas. Ai është një nga anëtarët kryesorë të Last Resort, një organizatë përgjegjëse për kabinën dhe krahun zviceran të Exit International, një organizatë jofitimprurëse që lobon për legalizimin e vetëvrasjes së asistuar. Është e paqartë nëse Ëillet është në mesin e të arrestuarve.

Ai i tha tabloidit zviceran Blick se vdekja e saj ishte “paqësore, e shpejtë dhe dinjitoze”. Gruaja kishte vuajtur për shumë vite nga një sërë problemesh serioze shëndetësore në lidhje me një gjendje autoimune, shtoi ai.

Shpikësi i Sarco Pod, Philip Nitschke , një shtetas australian, tha në X se kabina ishte përdorur për t’i dhënë asaj “vdekjen që ajo dëshironte”, shtoi ai.

Përpara se të hynte në ‘Sarco Pod’, gruaja kishte bërë një deklaratë për një avokate, Fiona Stewart, një nga drejtoret e Last Resort, e cila është e martuar me Nitschke. Në deklaratë ajo konfirmoi se kishte qenë dëshira e saj të vdiste dhe se kishte mbështetjen e dy djemve të saj. Gruaja tha se donte të vdiste pasi u diagnostikua me një gjendje të rëndë që i shkaktoi dhimbje të forta.

Stewart i tha De Volkskrant se gruaja ishte ekzaminuar më parë nga një psikiatër i cili e kishte konsideruar atë të aftë mendërisht.

Ligji zviceran e lejon vetëvrasjen e asistuar për sa kohë që personi e merr jetën e tij ose të saj pa “ndihmë të jashtme” dhe ata që e ndihmojnë personin të vdesë nuk e bëjnë këtë për “asnjë motiv vetë-shërbyes”, sipas një faqe interneti qeveritare.