ZRRE-ja nuk e zbaton vendimin e Apelit për pezullimin e faturimit të rrymës së veriut

E publikuar: 06/11/2017 08:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyra e Rregullatorit të Energjisë vazhdon t’i detyrojë qytetarët që nëpërmjet faturave të energjisë të paguajnë për rrymën që shpenzohet në veri të vendit. Edhe pse Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore për pezullim të vendimit të ZRRE-së të datës 6 shkurt të vitit 2012, me të cilin përcaktohet niveli i reduktimit të humbjeve në shpërndarje, ZRRE-ja nuk po e zbaton këtë vendim me arsyetimin se nuk ka Bord funksional për vendimmarrje, shkruan Koha Ditore.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë se gjykata është autoriteti më kompetent që vendos për ligjshmërinë e vendimeve të organeve administrative dhe në rastin konkret ZRRE-ja është organ administrativ, andaj, sipas tyre, vendimi i Apelit është obligues dhe moszbatimi i tij përbën vepër penale.

Vendimin e ZRRE-së për faturim të energjisë së shpenzuar në veri tek qytetarët e tjerë e kanë pezulluar edhe Themelorja, edhe ajo e Apelit, pas kërkesës së Avokatit të Popullit me arsyetimin se ky vendim është diskriminim dhe dëmton qytetarët e Kosovës.